DASH: ”Krimi pastron para me projektet e ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme”

Rrjetet kriminale shqiptare pastrojnë të ardhurat nëpërmjet sektorit të ndërtimit dhe kështu kontribuojnë në korrupsion. Ky është një nga përfundimet në vlerësimin e Shqipërisë në raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve 2025, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Paratë e dërguara nga jashtë (remitancat) dhe investimet nga jashtë ndonjëherë fshehin burimet e fondeve. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve”- citohet në dokumentin e publikuar.

Lidhjen me pastrimin e parave nëpërmjet sektorit të ndërtimit, e ka shprehur edhe kreu i SPAK (Struktura e Posaçme e Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), Altin Dumani në një analizë që i është bërë grupeve kriminale në fund të vitit 2024.

“Fusha më e preferuar është investimi në pasuritë e paluajtshme, ndërtim, hoteleri etj. Kemi sekuestruar 6 milionë euro kesh gjatë këtij viti”,  tha Dumani.

Kjo ka sjellë që një pjesë e madhe e qytetarëve në vend ta kenë të pamundur të zotërojnë një apartament për shkak të çmimeve të kripura, fakt i cili është vërtetuar dhe nga rezultate e Censit 2023. Sipas të dhënave 132 mijë familje ose gati një në çdo gjashtë familje jeton me qira ose jeton në banesë me pronësi të tjetërkujt me marrëveshje me pronarin.

Kjo nuk është hera e parë ku raporte të ndryshme ndërkombëtare sjellin në vëmendje lidhjen e sektorit të ndërtimeve me pastrimin e parave, dhe si pasojë rritje të çmimit të sektorit imobiliar. Në vitin 2023, raporti i Komisionit Ekonomik për Evropën në Kombet e Bashkuara (2023) zbuloi se banesat janë të mbipopulluara dhe një pjesë e rëndësishme blihet nga jo rezidentët, duke ngritur dyshime se pastrimi i parave ka qenë faktori kryesor në rritjen e çmimeve. Në 2022 raporti i  Iniciativës Globale në Ballkanin Perëndimor (2022), zbuloi se më tre vite u pastruan rreth 240 milionë euro përmes industrisë së ndërtimit.

Raporti i DASH thekson gjithashtu rolin e prokurorëve dhe agjencive ligjzbatuese, konkretisht SPAK  në operacione të rëndësishme në shkatërrimin e rrjeteve kriminale. SPAK, e mbështetur nga këshilltarë të BE – së dhe SHBA – së, mori pjesë në 35 ekipe hetimore te përbashkëta. Në një rast, SPAK dhe Policia e Shtetit Shqiptar bashkëvepruan me Eurojust, Europol, duke patur si objektiv një grup të krimit të organizuar të udhëhequr nga shqiptarët që trafikonin kokainë dhe pastronin të ardhurat përmes kompanive që furnizonin fatura të rreme me vlerë rreth 400 milionë dollarë.

“Operacioni çoi në 66 arrestime dhe sekuestrimin e 360 kilogramëve kokainë, 4.3 milionë dollarë para të thata dhe armë e asete të tjera me vlerë 65 milionë dollarë”- theksohet në raport.

Por në proceset hetimore kanë rënë pre dhe vetë përfaqësues të ligjit, kështu raporti përmend shkarkimin e 22 gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pajustifikuara.

Shqetësuese konsiderohet sipas DASH, edhe ndryshimi i legjislacionit për bastet sportive. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 27 mars 2024 legalizoi bastet sportive online dhe do të jap 10 licenca për kompani me reputacion, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të krimit të organizuar në këto aktivitete.

Edhe pse Shqipëria ka ndërmarrë hapa pozitive, raporti përmbyll se Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të integrojë plotësisht SPAK në përpjekjet AML/CFT (pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit)./citizens.al

Artikulli paraprakKatër gabimet që bëni kur nisni dietën për rënie në peshë
Artikulli tjetër“Dita kur liria mori krahë”- Shënohet 26 vjetori i bombardimeve të NATO-s, Presidentja Osmani: Kosova ecën e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur