DASH: Nuk japim asnjë koment pse nuk e ftuam Kosovën

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se nuk “komenton çështjet e brendshme pse disa vende nuk janë ftuar”, në Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, raporton Zëri i Amerikës (VOA) në gjuhën serbe.

“Presidenti Biden është zotuar të jetë nikoqir i Samitit të Demokracisë për të forcuar angazhimin tonë për pozicionimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në zemër të politikës së jashtme të SHBA-së”, ka thënë një zëdhënës i paidentifikuar i Departamentit të Shtetit.

Kjo ngjarje virtuale është planifikuar të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se pjesë e Samitit do të jenë shtetet me demokraci të zhvilluar apo në zhvillim, shoqëria civile dhe sektori privat – pa specifikuar numrin e saktë të të ftuarve.

“Do të kërkohet angazhim inovativ dhe i fuqishëm për t’u mbrojtur kundër autoritarizmit, për mënyrat e trajtimit dhe luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Samiti për Demokracinë tregon bindjen e thellë të presidentit Biden se demokracitë duhet të bashkohen, të mësojnë së bashku, të mbështesin njëra-tjetrën dhe të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat më urgjente të botës”, është thënë në përgjigje.

Për momentin, përveç aludimit për numrin përfundimtar të pjesëmarrësve, ende nuk është publikuar listë zyrtare.

Media amerikane Politico ka njoftuar se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, për dallim nga Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

“Ne nuk do të komentojmë mbi opinionet e brendshme se pse disa vende nuk u ftuan,” është thënë në përgjigje, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara duan të përfshijnë dhe përfaqësojnë vende të rajoneve të ndryshme dhe karakteristikave socio-ekonomike në Samit.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar letrën nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, e cila i është dërguar Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

Exit mobile version