Dash Shehi: Kur qepja pantallona me model kauboj. Ngarkova 2 ton letër pa leje për numrin e parë të “RD”

Mbetet ndër politikanët e rrallë që nuk ndryshon kah, nuk gëzon privilegje të pushtetit dhe nuk kursehet sa herë që ka diçka që nuk shkon në politikën shqiptare. Është një ndër shembujt se si mund të jesh politikan edhe pa një parti të madhe dhe ku emri i personit identifikon partinë. Dashamir Shehi është prodhim i gjimnazit dikur mjaft të famshëm në Tiranë “Sami Frashëri” nga ku kanë dalë shumë politikanë ndër të cilët, Fatos Nano, Ilir Meta, Genc Ruli, Petrit Vasili etj. Ndër shumë gjëra që janë thënë një ndër zanatet që qarkullon për Dashamir Shehin është ai rrobaqepësit. Ai ka mbaruar fakultetin në Ekonomi Agrare por që punoi shumë pak në profesionin e tij.
Një djalë i ri i rritur në Tiranë u emërua në Mirditë, që për të konsiderohej në dënim, gjë që nuk e pranoi asnjëherë. Qysh në shkollë ishte mjeshtër i punimeve të ndryshme për të cilat kishte marrë edhe të gjitha kategoritë. Ka qenë ministri i parë i Punës në pluralizëm, ka kontribuar mjaft për fillimet e demokracisë dhe sot mendon të jetë i pari në listën e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme. Është ndër të parët që përshëndet dy partitë e reja të sapokrijuara Për veten, politikën, Blushin dhe betejën e radhës politike.

Kanë thënë për ju se keni qenë rrobaqepës. Si është historia e vërtetë?
Unë kam mbaruar fakultetin në Ekonomi Agrare në vitin 1981. Më dërguan në Kaçinar dhe kam punuar atje për një vit e gjysmë. Kisha punuar edhe një vit në Fierzë, në tunelet e hidrocentralit si stazh pune. E lashë Kaçinarin dhe u ktheva në Tiranë. Duhet të punoja dhe e vetmja ku nuk do bija në sy që kisha braktisur emërimin ishte ndërtimi dhe meremetimet e ndryshme. Më jepej shumë për të gjitha. Kisha kategorinë e tretë për punimet e drurit qysh në shkollë e kështu punoja e fitoja. Puna e rrobaqepësisë ka dalë mes këtyre punëve të shumta që bëja por këtë nuk e kam bërë për para. Në shtëpi kisha një makinë qepëse Singer të gjyshes dhe me të kam qepur ja 20 palë pantallona model kauboj që doli në atë kohë. Ato i kam qepur kryesisht për shokët. 4-5 vjet kam bërë lloj lloj punësh dhe aty nga vitet e fundit, para ndryshimeve isha punëtor në Ndërmarrjen Pyjore pavarësisht arsimimit tim të lartë. Kjo ishte shumë pasi unë kisha braktisur emërimin dhe në atë kohë rrezikoje shumë.

Nuk u angazhuat rastësisht me PD dhe nuk është rastësi që jeni kaq popullor sot, apo jo?
Ne jemi gjenerata e “Sami Frashërit” dhe kanë qenë një grup i mirë i PD si Genc Ruli, Arben Imami, etj. Ky gjimnaz ishte Tirana, lagjja e vjetër e qytetetit. Ishin pak a shumë të ndarë në atë kohë. Psh te “Petro Nini” shkonin fëmijët e udhëheqjes, tek “Ismail Qemali” fëmijët e oficerëve kryesisht ndërsa tek “Samiu” do ishin të gjithë nxënës që ishin vërtet me dhjeta.
Sa i përket angazhimit në PD e konsideroj veten ndër nismëtarët. Në kohën e fillesave të lëvizjeve isha tek ndërmarrja Pyjore e Tiranës kur nisa të mbledh firmat për formimin e PD. Në ndërmarrje kisha krijuar një reputacion mjaft të mirë dhe nga fundi u bëra shef transporti. Mblodhëm firma derë më derë. U mblodhën gjithë djemtë e lagjes dhe ata janë firmëtarë. 30 nga firmëtarët janë vetëm në lagjen time.
Sa i përket daljes së organit të parë të pluralizmit, gazetës së RD kam histori për të treguar. Historia e botimit të gazetës RD nisi në 6 janar 1991 kur kam shkuar me mjetin e ndërmarrjes pyjore tek tipografia ushtarake, kam ngarkuar pa leje 2 ton letër dhe i kam dërguar. Lastrat e RD janë bërë tek “Zëri i Popullit”; nga Uzina e traktorëve te “Zëri i Popullit”. Sakrificat tona në fillesa ishin mjaft të mëdha.

Ju keni mbajtur poste të rëndësishme në vitet e para të demokracisë?
Jam ministri i parë i Punës, Çështjeve Sociale, Emigracionit dhe të Përndjekurve në pluralizëm. Ishte një ministri me aq shumë peshë sa i kam propozuar Berishës me shaka ta quanim “Ministria e Halleve”. Kjo ishte ministria që kishte ngarkesën më të madhe, por që më bëri të prek të gjitha hallet dhe problemet e të gjithë Shqipërinë. Kam qenë edhe zëvëndëskryeministër deri në vitin 1996. Më pas jam shkëputur nga këto poste dhe nuk kam pranuar edhe pse më janë ofruar disa herë.
Si e shikoni Partinë e re të Blushit? Po lëvizjen tjetër partiake “Vlerat e Shqipërisë”?
Partia e Blushit është një zhvillim pozitiv për politikën në përgjithësi pasi unë mendoj se çdo zë i lirë i bën mirë vendit. Sensi i kritikës, i autokritikës bëhet më i madh dhe ka më shumë ndikim. Blushi dhe zonja Hafizi janë intelektualë. E quaj kontribut si ai i imi dikur në krahun e djathtë sepse fatkeqësisht brenda partive të mëdha nuk ka liri. Mua do më pëlqente të rija në PD si një nga themeluesit por fatkeqësisht në hapësirën shqiptare mundon liria brenda partisë prandaj janë krijuar kaq shumë parti. Po të kishte garë të drejtë e mendim të lirë atëherë nuk do të kishte lëvizje të tilla. Mendoja që ky fenomen ishte vetëm tek PD por e kanë të gjitha partitë e mëdha. 20 vjet më parë e kam bërë unë dhe të njëjtën gjë po bën edhe Blushi sot, por 20 vjet më vonë. Mundësitë mediatike tani janë më të mëdha dhe i uroj të rriten shpejt.
Partia tjetër që është themeluar gjithashtu është me vlerë për demokracinë. Unë e kam mbështetur Gjergj Bojaxhiun. E quaj jashtëzakonisht të shëndetshme lëvizjet me të rinj, shoqëri civile flamurtarë të lirisë dhe demokracisë për të siguruar më shumë demokraci në këtë vend.

Cili do të jetë pozicionimi juaj në zgjedhjet e ardhshme?
Unë do të qëndroj brenda Aleancës së Djathtë por do të kem listën time në të gjithë Shqipërinë dhe në Tiranë do ta udhëheq vetë këtë listë pasi kam kuptuar se partia nuk ka peshën e emrit tim. Sa herë kam vënë vetë emrin, kam marrë 10 mijë vota në Tiranë ndërsa pa kryesuar vetë janë marrë 4 mijë vota. Kjo do të jetë ndoshta beteja e fundit politike e imja megjithëse në politikë kurrë nuk thuhet kurrë. Do të jem një opozitar i përjetshëm se vetëm me këtë pozicionimi mendoj se i kam shërbyer dhe i shërbej këtij vendi.

 

Exit mobile version