DASH shpalli Altin Dumanin “kampion kundër korrupsionit”/ Ambasada Amerikane: Përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për sundimin e ligjit dhe transparencë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë një postim në rrjetin social Facebook lidhur me Ditën Kundër Korrupsionit.

 

Ambasada bën me dije se Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare.

Ndërsa iu referua edhe 10 kampionëve të anti-korrupsionit që u shpallën dje nga DASH, mes tyre ishte e kreu i SPAK, Altin Dumani.

Teksa përgëzon kampionët e anti-korrupsionit, Ambasada e SHBA thotë se Amerika do të vazhdojë të punojë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.

“Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ne njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre. I përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për llogaridhënie, sundim të ligjit, transparencë dhe liri të shtypit”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.

Postimi i plotë: 

Korrupsioni gërryen qeverisjen demokratike, minon besimin në qeveri dhe pengon zhvillimin, prandaj Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare. Që nga miratimi i Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit (UNCAC) dhe ratifikimi nga SHBA, Shtetet e Bashkuara kanë qenë lider në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare kundër korrupsionit.
Shtetet e Bashkuara themeluan Çmimin e Kampionëve kundër Korrupsionit në vitin 2021 për të vlerësuar individët që kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të shfaqur solidaritetin e SHBA me këta partnerë heroikë. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ne njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre. I përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për llogaridhënie, sundim të ligjit, transparencë dhe liri të shtypit. Të vlerësuarit e këtij viti janë Jorge Mora Cortes nga Kolumbia, Matrika Dahal nga Nepali, Altin Dumani nga Shqipëria, Srbuhi Galyan nga Armenia, Carl Irani nga Libani, Marr Nyang nga Gambia, Javier Enrique Caraballo Salazar nga Panamaja, Didar Smagulov nga Kazakistani, Jimmy Spire Ssentongo nga Uganda dhe Sevinj Vagifgizi nga Azerbajxhani.
Ne jemi të nderuar të punojmë përkrah kampionëve si këta për të mposhtur korrupsionin. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.

Kreu i SPAK, Altin Dumani u dekorua dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken si “kampion i antikorrupsionit”.

Screenshot_12

Vlerësimi u bë dje (9 Dhjetor) në një ceremoni të zhvilluar në Departamentin e Shtetit, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë.

Në fjalën e tij, Blinken tha se ” Dumani ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit”.

“Altin Dumani, nga Shqipëria, drejton një agjenci të re (SPAK). Ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe një nga njerëzit më të besueshëm dhe institucion me të besueshme në Shqipëri”, tha Blinken.

Kreu i SPAK, Altin Dumani është zyrtari i dytë i sistemit të drejtësisë, që vlerësohet me kete çmim pas Ardian Dvoranit, në atë kohë kreu i Emërimeve në Drejtësi.

Altin Dumani prej dy vitesh drejton Prokurorinë e Posaçme. Dumani i përket grupit të prokurorëve që iu bashkuan SPAK që nga momenti i krijimit, ndërsa drejtuesi i parë i Prokurorisë Speciale ishte Arben Kraja.

Artikulli paraprakInteri s’ka frikë, që pas Stambollit sfidon… Europën
Artikulli tjetërAmbasadori amerikan në Prishtinë: Ka aktorë të huaj që duan të minojnë demokracinë e Kosovës! Po shfrytëzojnë përçarjet etnike