I ashpër ka qenë Dashamir Shehi me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe pjesëmarrjen e tij në protestën e opozitës, ku sipas tij mesazhet e vetme që dha ishin për të mbrojtur veten dhe familjarët nga prokurorët që i vijnë vërdallë, duke ia vënë fajin sistemit.
Për Shehin, nëse kërkon që ta bësh qesharake luftën kundër korrupsionit në vend, merr Ilir Metën dhe hipe në podium, njësoj si bëri opozita një ditë më parë.
“Ne që nuk besojmë te Berisha dhe Meta. E kishim harruar këtë të fundit dhe na doli dje në tribunë. Qëllimi ishte që të hipte atje të thoshte ato Dum Dumanët, të shante prokurorët që i vijnë vërdallë.
Në vend të që të përballet si burrat për atë që kanë bërë ia venë fajin sistemit. Që Berisha mund të qahet dhe të bërtasë, i ka nja dy të drejta, pasi po mbahet në arrest për një çështje administrative, unë do e kisha nxjerrë nga burgu që mos bëjë heroin nga penxherja. Se u bë mit.
Po ky tjetri çfarë do në tribunë. U bë presidenti i Edi Ramës, u votua me sallë bosh që nuk ka ndodh ndonjëherë. Nuk i luajti qepalla. Ishte kreu i Kuvendit të Ramës, dhunonte deputetët.
Nëse do ta bësh qesharake temën antikorrupsion, hip këtë në tribunë. Nuk mund ta bëjmë qesharake opozitën për interesat e një familje apo dy familjeve”, tha Shehi në A2 CNN.