Enver Bytyçi
Dasma e princit Leka ka nxjerrë në sipërfaqe edhe njëherë mjerimin dhe ndotjen ideologjike që ekziston në shoqërinë tonë. Kanë kaluar 26 vite nga koha kur diktatura komuniste është rrëzuar, por duket se muri ideologjik i kësaj diktature do të rezistojë gjatë. Eventi mbretëror me martesën e pasuesit të familjes mbretërore shqiptare me një vajzë fisnike e të një familjeje po ashtu fisnike e qytetare, shpalosi sjelljen tonë bazuar në instikamin e formuluar në Kongresin e Përmetit të vitit 1944 ndaj trashëgimisë shtetërore në Shqipëri.
Një valë reagimesh ideologjike, fyerjesh, shpifjesh dhe trillimesh u lëshuan në rrjetet sociale jo vetëm nga qytetarë të thjeshtë, por edhe nga personalitete të politikës e akdemike, jo vetëm nga njerëz të moshave të vjetra me dekoratat e partizanëve në gjoks, por edhe nga të rinj, mesa duket pasues të këtyre veteranëve, jo vetëm nga çobanë malesh me opinga, por edhe nga qytetarë denbabaden me banim në qytete.
Edhe vetë diktatori po të ngrihej e të shkruante, do të ishte rezervuar pak më shumë se një pjesë e madhe e këtyre kritizereve të sëmurë ideologjikë. Ndoshta nuk do të klishte përdorur epitete dhe krahasime kaq banale sa ndjekësit e tij. Jemi mësuar tashmë me gjuhën e egër që adresohej e adresohet pa dogane kundër ish-Mbretit Zog dhe familjes së tij. Jemi mësuar me zhargonin propagandistik bazuar në ideologjinë komuniste, sipas të cilit “Ahmet Zogu ishte tradhëtar, hajdut i thesarit dhe floririt” dhe përralla të tilla të thëna e stërthëna në 70 e ca vjet radhazi. Por se kjo sëmundje të njerëzve skicofrenë me mandate deputetësh e dilpoma akademikësh do të vijonte edhe sot, kur informacioni ka ardhur thuajse i plotë në duart tona, këtë askush nuk e kishte besuar.
Ahmet Zogu dhe familja e tij do të ishin ndër më të respektuarit në një vend të emancipuar e të qytetëruar. Por kjo ende nuk po ndodh në vendin tonë, çka do të thotë se ne vazhdojmë të vuajmë në pelenat e fonjshërisë ideologjike të imponuar dhe mëkuar me helmin e gjeopolitikës së Lindjes. Kjo nuk po ndodh ndër ne edhe pse në këto 25 vite jemi një vend i lirë, jemi qytetarë të lirë, me mundësi për të marrë e dhënë informacion të pafund e për identifikimin e asaj që quhet veprimtari shtetërore, shtetformuese e shtetndërtuese në vendin tonë.
Ne jemi e duhet të jemi tashmë në gjendje të dijmë të bëjmë krahasimin e epokave të ndryshme të qeverisjes në Shqipëri e mbi këtë bazë të ndërtojmë apologjinë e secilit prej atyre që e kanë qeverisuar ose e kanë sunduar këtë vend. Por ne nuk po e bëjmë këtë, sepse ideologjia e së shkuarës na ka errësuar sytë dhe na ka turbulluar mendjen aq shumë, sa para fakteve, shkencës, të dhënave, argumenteve vendosim gjithnjë interesat ideologjike, edhe pse këto interesa vijnë në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.
Të urresh një personalitet si Ahmet Zogu në këtë masë, ta shtrish këtë urrejtje deri te brezi i dytë i tij, tek nipi, është më shumë se cinizëm dhe urrejtje. Urrejtjen, cinizmin dhe ligësinë e ushqen dhe e mban gjallë vetëm ideologjia e diktaturave dhe despoteve. Fatkeqësisht ato që u thanë dhe u shkruan me bollëk kundër martesës së Princ Lekës, kundër ish-Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut, kundër familjes së tyre dëshmojnë se do të na duhet shumë e shumë kohë të zemë vendin tonë të merituar në familjen e kombeve të qytetëruara.
Nëse do bëhej një dasmë e tillë në familjet e traditës mbretërore në vendet e qytetëruara, pavarësisht modelit republikan të qeverisjes në këto vende, do të kishte një reagim të plotë pozitiv. Ajo dasmë do të shërbente si model, si ngjarje që lidhte të tashmen me të kaluarën, me kulturën, me traditën. Për pasojë qytetarët e vendeve të civilizuara ndjehen mirë, ndjehen madje krenarë që kanë në mesin e tyre modele, të cilat nuk mund t’i plotësojnë format republikane të qeverisjes. Eshtë fjala për modele të kulturës, të traditës, të civilizimit. Së paku për një gjë kritikët duhet të binin dakort: Të qëndronin para ekranit, me qëllim që të shihnin modelin e organizimit të një dasme të thjeshtë dhe fisnike. Të krenoheshin se përfaqësues të familjeve më të shquar të traditës në Europë ishin prezente në këtë dasëm fisnikësh në Shqipëri. Por reagimi i pashembullt në këtë rast nxori dhe një ves tjetër ideologjik.
Ne shqiptarët, të mësuar dhe edukuar nga diktatura, nuk e pranojmë elitën, nuk e pranojmë fisnikërinë, jo se nuk e admirojmë atë, por te fisnikëria dhe elita duam të shkojmë duke eliminuar pikërisht ata që i kanë këto elemente. Ne jetojmë me psikologjinë e barazisë në varfëri materiale e morale, intelektuale dhe akademike, elitare dhe fisnikërore. Këtë lloj barazie shkatërruese e edukoi ideologjia komuniste në gati 50 vite e sot gjendemi ende nën ndikimin e hashashit të ideologjisë komuniste. Ndaj nuk e duam tjetrin, sepse mendojmë se do ta donim vetveten, duke urryer të tjerët. Ndaj jemi këta që jemi dhe turremi në blogje e rrjetet sociale për të shfryrë mllefe dhe inate ideologjike e politike, të cilat sa më shumë zgjasin, aq më shumë e shkatërrojnë genin tonë dhe të ardhmen e kombit tonë.