Daul: Roli i Bashës, qendror në Reformën në Drejtësi

Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul vlerësoi dje qendrimin e Partisë Demokratike dhe të Kryetarit Lulzim Basha në lidhje me Reformën në Drejtësi, ndërsa e ka cilësuar rolin e tyre si përcaktues e kryesor në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje mbi këtë reformë. Në një njoftim për shtyp dërguar mediave nga zyra e shtypit të PPE, Presidenti Daul  vlerësoi gjithashtu lidershipin e dëshmuar nga kreu i Partisë Demokratike në arritjen e një marrëveshjeje që i shërben interesave të qytetarëve shqiptarë.
“Ne kemi ndjekur nga afër diskutimet dhe negociatat për draftin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Kjo reformë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Ndërsa shpesh bisedimet kanë qenë të vështira dhe komplekse, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha negocoi me sukses dhe kontribuoi për një rezultat të frytshëm. Kryetari Basha ka demonstruar lidership për partinë dhe vendin e tij, duke luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e një marrëveshjeje që i shërben interesave të të gjithë popullit shqiptar”, tha presidenti i PPE, Joseph Daul.
Presidenti i PPE shprehu mbështetjen e popullorëve europianë në përpjekjet për krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe transparent. “Një sistem i pavarur dhe transparent i drejtësisë mbetet një nga elementet kryesore të nevojshme që një vend demokratik të ketë sukses dhe të rritet. Shqiptarët meritojnë të ketë një sistem drejtësie, ku asnjë qytetar nuk është mbi ligjin dhe ku korrupsioni të mos lulëzojë. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe për të mbështetur partnerët tanë shqiptarë në krijimin e një sistemi të tillë drejtësie”, citon Daul.
Nga ana tjetër, Presidenti i Popullorëve Europianë thekson se “Vota e nesërme (sotme) për paketën e Reformës në Drejtësi do të jetë një hap për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bazat për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar. Partitë politike shqiptare dhe deputetë, duke përfshirë edhe ata të Partisë Demokratike, duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre për kauzën europiane për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, duke miratuar Reformën në Drejtësi”, përfundoi Presidenti Daul.

Exit mobile version