Popullorët Europianë deklarojnë zyrtarisht se janë të shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa konfirmojnë mbështetje të plotë për Partinë Demokratike dhe Kryetarin Basha. Si rrallë herë Popullorët Europianë kanë vendosur që këtë mesazh zyrtar të tyre ta pasqyrojnë edhe në faqen zyrtare të Twitter te PPE. “Para zgjedhjeve në Shqipëri PPE rithekson mbështetjen e saj për Partinë Demokratike dhe mbetet e shqetësuar për ritmet e ulëta të reformës”, theksohet në mesazhin e PPE në Twitter.
Aleanca e partive që kontrollon Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian i kërkon qeverisë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Nga ana tjetër PPE kërkon një dialog gjithpërfshirës dhe reforma të guximshme duke i konsideruar këto si vendimtare për përparimin e vendit.
“Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira, të ndershme dhe në përputhje me standardet europiane. Reforma e Drejtësisë, në veçanti ligji i dekriminalizimit, duhet të jenë prioritet i qeverisë aktuale. Reformat thelbësore dhe të guximshme dhe dialogu përfshirës politik janë vendimtare për shqiptarët dhe përparimin e vendit drejt BE-së”, thuhet në mesazhin e PPE.
Po, dje Kryetari i PD, Basha ka marrë mbështetjen e Presidentit të Partive Popullore, Josph Daul për zgjedhjet. Ai është takuar dhe ka biseduar me Daul dhe eurodeputetin Kukan për zhvillimet e fundit në Shqipëri ku ka shprehur edhe shqetësimin për manipulimin e zgjedhjeve përmes procesit të blerjes së votave me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.
“Në një takim pune me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul dhe Eurodeputetin Eduard Kukan në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri diskutuam për nevojën jetike për demokracinë dhe aspiratat europiane të vendit që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme”, thotë Basha në një mesazh në Facebook, menjëherë pas takimit të shoqëruar edhe me një foto të Bashës me Daul dhe Kukan.
Presidenti i Partive Popullore, Daul është një njohës i mirë i zhvillimeve politike në Shqipëri. Ai ka deklaruar se zgjedhjet e lira janë një nga kushtet e patjetërsueshme të Europës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa ka theksuar se po kaq të rëndësishme janë edhe dy kushtet e tjera, lufta ndaj krimit të organizuar dhe drogës.
“Presidenti Daul ripohoi se shumica europarlamentare është e qartë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës janë kushte të patjetërsueshme për hapjen e negociatave me BE-në dhe Shqipëria duhet t’i përballë këto probleme në mënyrë urgjente dhe të drejtpërdrejtë”, shprehet Basha në njoftimin pas takimit me Daul dhe Kukan.
Basha ka marrë mbështetje edhe për një program të thellë ndryshimi politik dhe ekonomik të vendit. “Folëm gjithashtu për programin zgjedhor të Partisë Demokratike. Mora mbështetjen e tij për ndërmarrjen e një programi të thellë ndryshimi politik dhe ekonomik të vendit, me qëllim që Shqipëria të ndërpresë një herë e mirë ciklin e krizave dhe dështimeve politike dhe ekonomike dhe të përqafojë vlerat dhe qasjet europiane të mirëqeverisjes për qytetarët”, tha Basha pas takimit.
Enton DACI