Daut Efendi Boriçi (1825-1896): personalitet i shquar i arsimit dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Nga dr. Hasan Bello

Daut Efendi Boriçi është një personalitet i njohur për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe administratën osmane në fund të shekullit XIX. Pas përfundimit të arsimit fillor në qytetin e Shkodrës, ai u diplomua në medresenë e Stambollit dhe më pas u regjistrua në shkollën e lartë që përgatiste mësues të ciklit të ndërmjetëm (“Dârülmuallimîn-i Rüşdi”). Pas mbarimit të saj ai u kthye në qytetin e lindjes si kryemësues. Gjatë kësaj periudhe, ai hartoi një abetare shqip me gërma arabe dhe bëri përpjekje që gjuha shqipe të vendosej në programet e këtyre shkollave.

Mbi veprimtarinë pedagogjiko-arsimore dhe rolin e Daut Efendi Boriçit në shkollën ryshdije të Shkodrës, drejtori i Shoqatës Biblike Britanike dhe të Huaj në Perandorinë Osmane, me qendër në Stamboll, Aleksandër Thomson shkruan se gjatë vizitës së tij në vitin 1867 shkolla në fjalë mbante ende reputacionin e saj. “Daut Efendi, pedagogu, ishte ende atje, po aq energjik sa më parë dhe pjesmarrja ishte arritur aq shumë saqë ndërtesa që ishte më parë ishte lënë për degën e ciklit të ulët, ndërkohë që Daut Efendiu me nxënësit më të mëdhenj ishin zhvendosur në salla më komode në një godinë bashkangjitur. Dr.Koelle dhe unë u kënaqëm shumë që patëm mundësi të vizitonim këtë shkollë, sepse Daut Efendiu ishte një njeri i arsimuar dhe me karakter entuziast e energjik, dhe dukej qartë se kishte fituar ndjenjat e dashura të nxënësve të tij, dhe i kishte frymëzuar me një pjesë jo të vogël të zellit të vet. Kjo në vetvete ishte një pamje e pëlqyeshme, dhe megjithëse ajo u dobësua deri diku nga mendimi që karakteri i cili formohej në këtë shkollë do të ishte i ngarkuar me nocione dhe ndjenja islame mjaft të forta, prapë dukej në përgjithësi më mirë që popullit t`i mësoheshin elementet e diturisë, si p.sh. këndimi, shkrimi, gramatika, gjeografia, etj., edhe nën një mbikqyrje jo të favorshme, sesa të lihej fare pas dore. Daut Efendiu na priti me përzemërsi të madhe, dhe mund t`i bënim komplimentin më se të ndershëm që ai ndodhej në krye të shkollës islame më të begatshme që kishim parë gjëkundi në Turqi”.

Daut Efendi Boriçi shërbeu si inspektor i përgjithshëm i arsimit në Shkodër dhe me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe si kryetar i saj në këtë qytet. Për shkak të angazhimit të tij në përpjekjet dhe betejat që dega e Shkodrës dha për mbrojtjen e territoreve shqiptare, në vitin 1880 ai u transferua në Stamboll. Në vitin shkollor 1882-1883 ai i propozoi Ministrisë së Arsimit një projekt për vendosjen e gjuhës shqipe në shkollat osmane kudo ku kishte shqiptarë. Ndërsa në vitin 1888 ai u ngarkua me detyrën e drejtorit të arsimit për vilajetin e Shkodrës. Gjatë gjith jetës ai u përpoq për zgjerimin e rrjetit arsimor, emancipimin kulturorë dhe kombëtarë të popullit shqiptar.

Exit mobile version