David Alaba: Ancelotti është një trajner gjenial

Carlo Ancelotti është njeriu i duhur për Bayernin e Munihut. I këtij mendimi është mbrojtësi i skuadrës bavareze David Alaba, i cili në një intervistë nuk e fsheh admirimin e tij për teknikun italian. Austriaku ka mbetur i impresionuar nga puna e Ancelottit gjatë këtyre javëve dhe deklaron se këtë vit nën drejtimin e italianit kampionët e Gjermanisë i kanë të gjitha mundësitë për të fituar trofe në të gjitha kompeticionet ku ata marrin pjesë.
“Është një trajner gjenial. Ai ka krijuar marrëdhënie shumë të mira me të gjithë grupin e futbollistëve. Po bën një punë shumë të mirë, sidomos me lojtarët e rinj në moshë, di se si të sillet me ta dhe të marrë më të mirën prej tyre. Gjithashtu ai komunikon shumë me futbollistët dhe kërkon vëmendje nga ana jonë pasi dëshiron që mos të na shpëtojë asnjë detaj nga teknikat e tij. Jam i sigurt se këtë sezon Bayern nën drejtimin e Ancelottit do të arrijë të korrë sukses në të gjitha kompeticionet ku ne marrim pjesë”, u shpreh Alaba.
Më tej Alaba nuk e fsheh dëshirën përsa i përket rolit të tij në fushë. 24-vjeçari shprehet se i pëlqen të marrë pjesë edhe në fazën sulmuese, por me humor deklaron se skuadra nuk e ka të nevojshme pasi sulmi është në duar të sigurta.
“E rëndësishme është që të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe nëse ne tregohemi të vëmendshëm në repartin difensiv atëherë jam i sigurt që këtë vit mund të fitojmë shumë tituj. Përsa i përket vendosjes time në fushë, po është e vërtetë që më pëlqen të marr pjesë në sulm, por besoj se nuk ka vend për mua atje, pasi aty ndodhen futbollistë si Lewandowski, Muller dhe të tjerë që dinë ta mbulojnë shumë mirë atë rol”, përfundoi Alaba.

Exit mobile version