David Wisner drejt përfundimit të mandatit, zbardhet emri i diplomates, ja kush do jetë e Ngarkuara e SHBA-ve me Punë në Shqipëri

I Ngarkuari i SHBA-ve me Punë në Republikën e Shqipërisë, David Wisner është drejt përfundimit të mandatit të tij në vendin tonë.

 

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Panorama, Wisner zbuloi edhe emrin që do ta pasojë. Bëhet fjalë për Nancy VanHorn, e cila do të mbajë detyrën derisa Senati i SHBA të konfirmojë ambasadorin e ri, David Kostelancik.

I pyetur se kush do të jetë pasardhësi i tij, David Wisner u përgjigj: “Ndërkohë që i emëruari për ambasador David Kostelancik pret konfirmimin nga Senati i Shteteve të Bashkuara, pasardhësja ime do të jetë një diplomate e aftë, Nancy VanHorn. Ajo vjen me përvojë shumë të madhe në Tiranë, pasi ka punuar në Ukrainë, Armeni dhe Rusi, mes detyrave të tjera që ka mbajtur”.

Diplomati amerikan foli për përparësitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si lufta jetike kundër korrupsionit dhe zbatimi i pakthyeshëm i reformës në drejtësi.

“Përparësitë tona janë të qarta dhe ato vendosen nga nivelet më të larta në Uashington. Këto përfshijnë mbështetje për demokracinë shqiptare – me punën e përbashkët për të forcuar institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit, përfshi nëpërmjet zbatimit të pakthyeshëm të reformës në drejtësi dhe luftën jetike kundër korrupsionit; për mbrojtjen, përfshi nëpërmjet edhe më shumë lidhjesh dypalëshe dhe si aleatë në NATO; si dhe për biznesin, duke punuar së bashku për të krijuar mundësi reale për bizneset amerikane dhe shqiptare që të krijojnë vendet e punës që nevojiten dhe ta bëjnë Shqipërinë më të begatë për të gjithë qytetarët e saj”, u shpreh Wisner.

Artikulli paraprakNjë vit pas ndarjes nga jeta, zbulohet shkaku i vdekjes së këngëtares Sinead O’Connor
Artikulli tjetërVula e PD, Gjykata e Lartë merr në dorëzim rekursin e Bashës