Ajo që ishte paralajmëruar prej mediave për një tensionim të situatës mes Ahmet Davutoglus dhe Presidentit Rexhep Taip Erdogan, duket më se e qartë tani. Kryeministri turk sapo dha dorëheqjen e tij, shkruan BotaSot.info.
Davutoglu ka dhënë dorëheqje nga partia AKP, ku për një kohë ishte edhe udhëheqës i saj. Sipas statusit të partisë ai duhet të japë dorëheqje edhe nga detyra si kryeministër. Pasardhësi i tij, pritet të vendoset në 22 maj në Kongresin e Partisë AKP.
Të mërkurën ishin takuar Davutoglu (57) dhe Erdogan (62), ku kishin biseduar me dyer të mbyllura për më shumë se një orë. Dy miqtë e vjetër kishin përkeqësuar marrëdhëniet për debatet rreth kryesisë së partisë.
Prej 2014, Davutoglu ishte kryeministër i Turqisë, pasi Erdogani nuk mund të ushtronte detyrën tre herë radhazi.
Ata u përpoqën të ndryshojnë sistemin turk në presidencial, për t’i dhënë më shumë fuqi ekzekutive Erdoganit, megjithatë nuk arritën të bindin partitë e tjera. Si pasardhësi i mundshëm shikohet ish-Presidenti Abdulla Gyl.
Në këto momente, Turqia ka nënshkruar një sërë paktesh me BE rreth krizës së refugjatëve, ku u arrit edhe liberalizimi i vizave për popullin turk.