Dc Leaks-Soros: Ndërkombëtarët janë kori im në Shqipëri

Reforma kushtetuese u ideua dhe u konceptua nga Fondacioni Soros në Tiranë. Për këtë qëllim, fondacioni hartoi, që në vitin 2013, një plan të qartë strategjik, ku planifikoheshin të gjitha hapat e nevojshëm teknikë dhe politikë që duhet të ndërmerreshin për të realizuar reformimin e Kushtetutës së Shqipërisë.
Mijëra e-mail-e dhe dokumente të rrëmbyera elektronikisht nga rrjeti i organizatave të miliarderit dhe aktivistit politik, Xhorxh Soros u bënë publike javën e shkuar nga grupimi DC Leaks.
Mes tyre gjenden dhjetëra dokumente që i përkasin aktivitetit të Fondacionit Soros në Shqipëri, përfshi një dokument të rëndësishëm të titulluar Plani Strategjik 2014-2017 i Fondacionit Shoqëria e Hapur Shqipëri (OSFA).
Dokumenti- i cili është hartuar në verën e vitit 2013, pas zgjedhjeve parlamentare, por para miratimit në Kuvend të qeverisë Rama -përmban strategjinë e Fondacionit Soros në Tiranë për projektet dhe iniciativat kryesore strategjike për periudhën 4-vjeçare, e cila përputhet në kohë me mandatin e qeverisë Rama.
Ndërhyrja kryesore prioritare e planifikuar për t’u realizuar nga Soros në Shqipëri ishte “reformimi i Kushtetutës” së Shqipërisë, e përshkruar si një nga “idetë e mëdha” që organizata do të çonte përpara në vend.
Dokumenti strategjik përshkruan në detaje të mjaftueshme përmbajtjen e këtij projekti për “rishikimin e përgjithshëm” dhe ndryshimin e Kushtetutës, si dhe strategjinë e realizimit të tij në praktikë.
Objektivat kryesore të përcaktuara në dokument ishin:
Rritja e kontrollit dhe balancimit reciprok të pushteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në vend;
Forcimi i rolit të Presidentit;
Ulja e ndikimit politik në procesin e zgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese;
Rritja e pavarësisë së institucioneve publike, të tilla si Prokurori i Përgjithshëm, Instituti i Statistikave, Avokati i Popullit.
Dokumenti planifikonte që brenda vitit 2014 të realizohej një vlerësim i thellë i kapitujve të Kushtetutës që duhet të ndryshoheshin dhe të ishin identifikuar praktikat e vendeve të tjera që mund të zbatoheshin në Kushtetutën e re të vendit.
Fondacioni planifikonte që në vitin 2015 të paraqiste një draft reformë kushtetuese të hartuar nga një “grup përfaqësues i palëve të interesuara”. Plani ishte që ndryshimet kushtetuese të miratoheshin brenda katër vjetësh; por nëse kjo gjë nuk do të arrihej atëherë fondacioni do ta “përfshinte” reformën kushtetuese si çështje të rëndësishme të fushatës zgjedhore të vitit 2017.
Në dokument, fondacioni e vlerësonte si shumë të rëndësishme arritjen e dakordësisë mes të gjitha palëve politike për miratimin e reformës, e cila kërkon 94 vota në Kuvend dhe parashikonte një sërë përpjekjesh dhe manovrash për arritjen e kësaj dakordësie- nga vetëdijësimi dhe përfshirja e politikanëve në dialog tek trysnia ndërkombëtare ndaj tyre.
Dokumenti përcakonte qartë se do të angazhohej për përfshirjen në procesin e hartimit dhe miratimit të reformës kushtetuese organizatat ndërkombëtare me ndikim në Shqipëri, veçanërisht Komisionin e Venecias, Këshillin e Europës dhe Delegacionin e BE-së në Tiranë.
Plani strategjik i Sorosit pohon se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë “ndikim të rëndësishëm dhe fuqi për të lëvizur gjërat në Shqipëri”, prandaj një nga masat e përfshira në të është lobimi i tyre për të kërkuar reformimin e Kushtetutës.
Dokumenti shprehet qartë dhe hapur se një nga qëllimet e lobimit të BE-së do të ishte të arrihej që reforma kushtetuese “të vendosej si kusht për negociatat e anëtarësimit në BE”.
Dokumenti i Sorosit vlerëson rëndësinë e krijimit të një koalicioni publik për mbështetjen e reformës kushtetuese. Për arritjen e këtij qëllimi, dokumenti shprehet se Soros do të kërkojë dhe arrijë mbështetjen e një numri organizatash joqeveritare dhe individësh, të cilat i quan “partnerë civilë”, për të ndihmuar në arritjen e vetëdijësimit dhe konsensusit publik për reformën. Mes partnerëve të tillë dokumenti llogarit Forumin Civil (të ish-presidentëve të vendit); autorët e Kushtetutës aktuale; pedagogë të juridikut, etj.
Një nga metodat për përpunimin e opinionit publik të planifikuar është organizimi i peticioneve publike, diskutimeve në universitete dhe fushatat në media.
Dokumenti përcakton se, “është koha e duhur për fondacionin për të kapur momentin dhe filluar shtytjen për reformën kushtetuese”. Fondacioni shprehet i sigurtë se është “organizata më e mirëvendosur në Shqipëri për të ndërmarrë këtë sfidë” duke argumentuar se ai “ka fuqinë për të mbledhur bashkë korin e nevojshëm të aktorëve të shumëllojshëm vendas dhe ndërkombëtarë për këtë fushatë”.
Dokumenti i brendshëm zbulon se reforma kushtetuese ishte diskutuar me Kryeministrin e zgjedhur Rama, i cili kishte premtuar angazhimin e qeverisë për të ndërmarrë këtë reformë.
Nisur nga premtimi, dokumenti shprehet se duhet punuar nga afër me qeverinë Rama për ta detyruar atë t’i përmbahej angazhimit për reformën, ndërkohë që fondacioni duhej të përpiqej “ta udhëheqte dhe t’i jepte formën” kësaj reforme.

Artikulli paraprakOlsi dhe Besnik Sula, pas 1700 hektarëve të koncesionit të Karpenit
Artikulli tjetërTrafikanti i prostitutave në Dibër për Ramën