Zgjedhjet janë gjithmonë të vështira. Ti shpjegosh ato edhe më tepër. “Jo jo jo, mos ia jep listën. A të thashë t’ia japësh listën?! Jo!! Sepse pastaj gazetarët shohin vetëm emrat dhe nuk dëgjojnë atë që kam për të thënë”, u shpreh De Biasi. Kjo duket se ishte arsyeja pse në ditën e publikimit të listës së madhe, me emrat e lojtarëve për kampin stërvitor drejt Euro 2016 dhe finalen e evenimentit në Francë, trajneri Gianni De Biasi kërkoi të shmangte prej fillimit diskutimet për emrat konkretë.
“Prezantojmë grumbullimin në Austri. Të dielën niset një pjesë e skuadrës, për të tjerët dita e parë është data 23 maj. Përpara katër vjetësh e gjysmë kur mora drejtimin e skuadrës premtova se do të punonim me pasion dhe shumë sakrificë për të realizuar atë që nuk ishte bërë ndonjëherë. Mos më pyesni përse është ky lojtar apo përse mungon ai tjetri. Ata që janë këtu kanë kontribuuar në mënyrë të rëndësishme për të arritur në Francë 2016. Duhet të bëja zgjedhje, i kam bërë në autonomi të plotë dhe nuk kam pasur asnjë problem dhe kërkoj gjithmonë që të vë skuadrën përpara gjithçkaje”, tha ai.
Edhe pse kërkoi specifikisht që të flitej vetëm për grupin dhe jo për emra konkretë, tekniku kuqezi duhej të shpjegonte zgjedhjet, nisur nga lënia jashtë e Hamdi Salihit. “Janë zgjedhje që një trajner i bën dhe paguan pasojat ose merr frytet. Unë besoj se në këto momente skuadra jonë ka nevojë për lojtarë me karakteristika të tjera”, tha De Biasi.
Trajneri shpjegoi edhe përfshirjen në listën e madhe të mbrojtësit Amir Rrahmani dhe yllit të Vitesse-s, Milot Rashica. “Rrahmani ka qenë në skuadër gjatë gjithë pjesës së dytë të kualifikueseve. Përsa i takon emrave të rinj kam thënë se mund të ketë vend nëse dikush do të binte në sy në kampionatin ku luan. Mendoj se, Rashica ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm, e jo rastësisht në gjurmët e tij janë gjysma e skuadrave të rëndësishme. Por, nuk është e thënë që do vijë, kemi 27 lojtarë. Mund të mos vijë, por edhe mund të vijë”, u shpreh De Biasi.
Pasi konfirmoi se, Taulant Xhaka nuk rrezikon prej dëmtimit të përpara dy javëve dhe se Ledian Memushaj do të shkëputet për disa ditë nga kampi i kombëtares, për të luajtur me Pascarën në play-off, De Biasi shpjegoi si do të realizohet zgjedhja e 23 lojtarëve në Euro 2016.
“Zgjedhjet do të bazohen vetëm te gjendja fizike dhe te dëshira për të marrë pjesë dhe për të qenë skuadër. Me lojtarë që nuk mërzitën nëse nuk luajnë, por janë vetëm të lumtur kur luajnë. Ky është aspekti më i rëndësishëm. Skuadrat që fitojnë nuk kanë probleme të brendshme. Janë të lumtur kur ata që janë në fushë marrin rezultate, zbaviten dhe nuk varin turinjtë. Këto janë ndryshimet thelbësore”, tha trajneri i Kombëtares.
Në fund, trajneri i Shqipërisë kishte edhe një thirrje për lojtarët, duke thënë se vetëm kualifikimi në evenimentin Francë nuk mjafton. “Së pari, për ne është një vitrinë e rëndësishme dhe kemi mundësinë të tregojmë vlerat në një aktivitet ku askush nga ne nuk ka luajtur më parë. Është e kotë të fshihemi: është hera e parë që do të hyjmë në televizor, pasi zakonisht kemi qenë përpara televizorit, duke parë të tjerët. Sot jemi në televizor dhe jemi ne protagonistët. Fakti që jemi në Francë do të thotë që kemi bërë diçka të rëndësishme, por kjo nuk mjafton. Nuk shkojmë në Francë për turizëm”, përfundoi De Biasi.