Gianni De Biasi shtrëngon tre pikët e marra në përballjen me Maqedoninë. Në intervistën dhënë për “Supersport” trajneri italian e pranoi se nuk e priste që kundërshtari ta vendoste në të tilla pozita Shqipërinë, duke nënvizuar se ekipi kuqezi hasi vështirësi në fazën mbrojtëse si pasojë e agresivitetit të maqedonasve. Në vijim ai theksoi se nuk e kishte aspak të vështirë motivimin e djemve për pjesën e mbetur të ndeshjes.
Gianni De Biasi… “Nuk ishte e vështirë ta motivoja skuadrën, sepse vinim nga një pjesë e parë e mirë dhe pjesa e dytë ku nuk dolëm në lojën tonë dhe ramë në kurthin e tyre. Për fat të mirë gjetëm këtë gol. Unë shpresoja që të rigjenim golin me goditje standarde. Kjo fitore na lumturon, sepse jemi në kuotën e 3 pikëve si Spanja dhe Italia”.
Në vijim, De Biasi pohoi se askush nuk e priste që Maqedonia të transformohej në pjesën e dytë, ndërsa e pranoi se rreshtimi i kundërshtareve me 5 mbrojtës të deklaruar, e detyroi të ndryshonte formacionin 60 minuta përpara startit.
“Kemi lojtare të aftë për të luajtur edhe nga krahet me Agollin e Lenjanin dhe Hysajn e Roshin. Mund të luajmë me çdo modull qe duam, por skuadra duhet t’i interpretojë në mënyrën më të mirë. Ne duhet të mësojmë të përshtatemi gjatë ndeshjes, sepse Maqedonia luajti këtu me 5 mbrojtës”.
Në fund, 60-vjeçari i stolit shqiptar e pranoi se Maqedonia, Lihtenshtejni dhe Izraeli janë skuadrat që duhen mundur në këtë grup, ndërsa ndaj Italisë dhe Spanjës do të jetë shumë e vështirë.
Ansi Agolli: Ishte mjaft e vështirë sidomos nga ana psikologjike të karikohet skuadra brenda 12 orëve siç u karikua sot. Kjo është jashtë normales, por atë që deshëm e morëm dhe jam shumë i kënaqur që i nisëm mirë këto eliminatore. Tashmë kombëtarja jonë shihet me një sy tjetër nga të gjithë dhe objektivi i stafit teknik është ta mbajë skuadrën në nivele sa më të larta dhe ta karikojë siç duhet. Shiriti i kapitenit është një përgjegjësi shumë e madhe për mua, por mendoj se tani e kam justifikuar”.
Sadiku: Jam në formë të mirë, kam luajtur 6 ndeshje me Zyrihun nga 90 minuta. Jam mirë fizikisht. Dje me golin tim e ndihmova ekipin, jam shumë i kënaqur për faktin, por më shumë sesa te goli im u gëzova te goli i Balajt, sepse i dha ekipin. Për mua është njësoj të luaj si sulmues i vetëm apo të kem në krah një shok skuadre edhe pse kjo e dyta do të ishte diçka më e mirë”.
Roshi: Jam i mendimit se ekipet e vogla të prishin më shumë, sepse me Italinë dhe Spanjën motivohesh vetë. Maqedonia e kishte më të lehtë ta mbante barazimin. Në 15 minuta ne dhamë 120% dhe ia dolëm mban.