Gianni de Biasi i hap derën kombëtares së Italisë. Madje, trajneri shprehet jo vetëm tejet i tërhequr nga ideja për të drejtuar stolin e të kaltërve, por edhe gati për një detyrë kaq të rëndësishme. Pasi është cilësuar si një prej kandidatëve më të fortë, trajneri i Shqipërisë u shpreh edhe personalisht rreth mundësisë për të zëvendësuar Antonio Conte-n, pas përfundimit të Euro 2016. Me deklaratën e dhënë për “Quotidiano Sportivo” e më pas të publikuar me bujë në të gjitha mediat më të rëndësishme italiane, De Biasi e tha qartë se pret një telefonatë të mundshme nga kreu i federatës, Tavecchio. “Të qenurit trajner i kombëtares së kaltër përbën një eksperiencë shumë tërheqëse, megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete. Ndihem gati për këtë aventurë, e cili nuk do të ishte?”, tha De Biasi.
Në fjalët e tij, tekniku që udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit historik në një eveniment madhor, zbuloi edhe një detaj, që deri më tani ishte mbajtur konfidencial. “Kontrata ime me Federatën Shqiptare përfundon në vitin 2017, por kam edhe një marrëveshje me presidentin, që në rast të një oferte shumë të rëndësishme për karrierën time, ai do të më linte të largohesha”, tha ai.
Fjalët e De Biasit erdhën pak pak ditë pasi Marcello Lippi e cilësoi trajnerin italo-shqiptar si alternativën më logjike për stolin e Italisë. Ndërkohë, sipas mediave, 59-vjeçari do të emërohej në krye të përfaqësueses së kaltër, në rast se Fabio Capello nuk do ta marrë detyrën.