De Biasi: Po kërkojmë talente në Europë

Gianni De Biasi ishte i pranishëm në stadiumin “Bruno Benelli” në shoqërinë e Arrigo Saçhi-t, që cilësohet si një prej trajnerëve më të mëdhenj të historisë së futbollit. Drejtuesi i stolit të Kombëtares ndoqi në aksion 17-vjeçarët kuqezi, të impenjuar në kualifikueset e Europianit 2017, ndërsa foli për talentët e së ardhmes te Shqipëria. Një projekt i nisur afro dy vjet më parë, për një punë të bashkërenduar ndërmjet teknikut të Kombëtares A dhe trajnerëve të përfaqësueseve të moshave, për të përzgjedhur dhe ndjekur hap pas hapi zhvillimin e lojtarëve premtues. “Prej katër vitesh po punojmë për afrimin e të rinjve në Kombëtare. Paolo Tramezzani prej dy vitesh është drejtues teknik i sektorit të të rinjve dhe po bën një punë shumë të mirë në këtë drejtim. Po punojmë te cilësia, për të krijuar një strukturë të re dhe për t’i transmetuar një mentalitet të ri këtyre të rinjve. Kemi shumë talentë të shpërndarë nëpër Europë dhe gjithmonë provojmë të organizojmë seleksionime në shtete të ndryshme, për të rritur nivelin teknik të skuadrës”, u shpreh De Biasi.
Shqipëria mbetet në kërkim të talentëve dhe këtë e konfirmon më së miri përfaqësuesja e 17-vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Mustedanagic, që ka në kontingjent lojtarë, të cilët aktivizohen në Itali, Greqi, Angli, Francë dhe Irlandë. Kërkimi i talentëve për t’iu shtuar radhët e kuqezinjve vazhdon dhe e ardhmja duket premtuese.
Shqipëria e 17-vjeçarëve e nis me një humbje turneun eliminator të Euro 2017. Ndeshja e parë e Grupit 4 kundër Italisë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të të kaltërve që me vështirësi arritën të thyenin në Ravena skuadrën e drejtuar nga Xhemal Mustedanagic. Në sytë e Gianni De Biasit që ishte i pranishëm në stadium në krah të Arrigo Sacchit dhe nën komentin e ndihmësit të tij, Paolo Tramezzani në kanalin “Rai Sport”, ekipi kuqezi rezistoi deri në minutën e 62, kur pësoi edhe golin e vetëm të sfidës që dha sinjale të rëndësishme për skuadrën shqiptare. Ndeshja nisi me një goditje të Biancu në minutën e 5, ndërsa 5 minuta më pas, Calgara nuk arriti ta devijonte topin drejt rrjetës. Italia nuk e uli ritmin dhe në të 25-ën, Merola provoi me kokë, por portieri Sinani me një superpritje shpëtoi Shqipërinë.
Në krahun tjetër, kuqezinjtë tentuan disa herë të kërcënonin portën e Italisë, por pa mundur të rrezikonin katërkëndëshin e kaltër. 2 minuta nga fillimi i pjesës së dytë ishte sërish Caldara, ai që provoi me një goditje të bukur nga distanca, por topi përfundoi për fare pak jashtë kuadratit. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt një barazimi pa gola, Italia zhbllokoi rezultatin pas një aksioni që nisi nga e majta e sulmit. Visconti dhuroi një asist për Merolan që me portën e boshatisur nuk e pati të vështirë për ta shtyrë topin në rrjetë. Shqipëria nuk u pajtua me këtë rezultat dhe sinjalin e parë të ndeshjes e dha në minutën e 74 me Krajën, por edhe pse sulmuesi kishte mundësi për të bërë më mirë, goditja e tij u ndal nga mbrojtësit italianë. Minutat deri në fund nuk e ndryshuan rezultatin e kësaj sfide ku Kombëtarja Shqiptare e 17-vjeçarëve del me një humbje. Një paraqitje deri diku pozitive për skuadrën kuqezi që mori vlerësime edhe nga trajneri italian. Emiliano Bigica, i cili u shpreh i kënaqur me këtë tre pikësh, pasi sipas tij, Italia kaloi kundërshtarin më të fortë të grupit.
“Ishte një ndeshje e vështirë, sipas mendimit tim, më e vështira e këtij grupi. Përballë kishim një skuadër me 6 lojtarë që aktivizohen në Itali dhe janë mësuar me mentalitetin e futbollit tonë. Shqipëria e kishte përgatitur mirë këtë ndeshje, madje në zonat qëndrore të fushës nuk la shumë hapësira. U treguam të duruar, por edhe me fat për ta zhbllokuar këtë ndeshje”, tha Emiliano Bigica.

Artikulli paraprakThjesht një aksident
Artikulli tjetërKryeministri i Malit të Zi jep dorëheqjen, fajëson Rusinë