Giani de Biasi publikon listën e futbollistëve të grumbulluar për miqësoren me Luksemburgun dhe transfertën zyrtare me Izraelin, të vlefshme për kualifikueset e Rusi 2018. Ka qenë një publikim ndryshe nga herët e tjera, me kombëtaren që nis grumbullimin dhe një pjesë të futbollistëve që janë nisur nga Rinasi drejt Luksemburgut në orët e para të mëngjesit. Lista është shpallur për herë të parë në faqen zyrtare të trajnerit, giannidebiasi.it ku natyrisht nuk mungojnë risitë. Ajo më kryesorja ka të bëjë me mungesën e Bekim Balajt në seksionin e sulmuesve, me bomberin shkodran që vuan një dëmtim duke reduktuar opsionet në vijën e parë. Për të mbetur te sulmi, ku figurojnë të grumbulluar, Azdren Llullaku, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku, Liridon Latifi, Eros Grezda dhe Jahmir Hyka mbetet jashtë radhëve kuqezi Shkëlzen Gashi. Mungesa të detyruara ndërkohë ato të portierit Etrit Berisha dhe kapitenit Ansi Agolli, të dy të skualifikuar, me kapitenin që ka plotësuar numrin e kartonave, ndërsa gardiani i portës vazhdon të shlyejë dënimin e marrë pas ndeshjes së parë me Izraelin.
Konfirmohet në mesfushë përjashtimi i Taulant Xhakës, ndërkohë që rikthehet Ergys Kaçe, konfirmim në bllok në repartin e ndërmjetëm për emrat tashmë stabël si Migjen Basha, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Andi Lila, Ermir Lenjani, Burim Kukeli e Amir Abrashi. Në mbrojtje rikthehet Mërgim Mavraj, i cili mungoi për shkak dëmtimi në takimin e fundit me Italinë e po ashtu dhe Berat Gjimshiti, i cili ishte i skualifikuar, janë grumbulluar Naser Aliji, Arlind Ajeti, Elseid Hysaj dhe Frederik Veseli. Siç vihet re për këto dy takime nuk ka një konfirmim për Albi Allën, i cili fitoi ftesën e parë në grumbullimin e fundit të kombëtares, për sa i përket portës nuk ka risi, me Thomas Strakoshën, Alban Hoxhën dhe Orges Shehin të thërritur në mision, ndërkohë që i duhet të presë ende Enea Kolicit, protagonist i një sezoni të suksesshëm me Kukësin ku u shpall edhe kampion i Shqipërisë. Kombëtarja e futbollit do të përballet në testin me Luksemburgun këtë të dielë, ndërsa më 11 qershor do të luajë përballë Izraelit një ndeshje vendimtare për objektivin e mbetur, vendin e 3-të në grupin kualifikues.
Portierë: Strakosha, Hoxha, Shehi
Mbrojtës: Aliji, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Mavraj, Veseli
Mesfushorë: Basha, Kaçe, Memushaj, Roshi, Lila, Lenjani, Kukeli, Abrashi
Sulmues: Llullaku, Cikalleshi, Sadiku, Latifi, Grezda, Hyka