De Biazi flet për “AS”

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ka dhënë një intervistë të gjatë për prestigjiozen spanjolle “AS” duke treguar gjithë historinë e tij me kombëtaren shqiptare dhe duke komentuar takimin e sotëm ndaj Spanjës në “Loro Boriçi”, i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”.

– Ndeshja kundër Spanjës do të jetë një vazhdim i paraqitjes së mirë në Kampionatin Europian?
Shpresojmë të kemi një rendiment të mirë, edhe pse e kemi të qartë që Kampionati Europian i përket së shkuarës tashmë. Duhet të jemi të përulur dhe të përqendruar. Madje, edhe në këtë mënyrë, diferencat mes nesh dhe Spanjës janë si të shkosh nga Toka në Hënë, ose si një luftë mes gurit dhe kallashnikovit.

– A mund të surprizojë Shqipëria në këtë grup të vështirë?
Për ne është akoma më e vështirë të bëjmë histori tani që ia arritëm një herë. Grupi është shumë i fortë. Ndeshjet më të rëndësishme për ne janë kundër Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtejnit. Kundër Spanjës dhe Italisë nuk kemi çfarë të humbim. Mendoj se 40% shanse të dalë e para ka Spanja, 40% Italia dhe 20%-ëshi tjetër ndahet mes 4 ekipeve të tjera.

– Ju pëlqen stili i lojës së Spanjës?
Më pëlqen, por preferoj të jem më shumë konkret sesa poetik. Në qoftë se dikush ka cilësi, mund ta bëjë atë lojë. E rëndësishme është të marrësh maksimumin e mundësive që ke. Të gjithë lojtarët e Spanjës luajnë në ekipe të mëdha. Shikoni ku luajnë lojtarët e mi.

– Diego Kosta apo Morata?
Në qoftë se nuk luan asnjëri prej tyre do të ishte më mirë. (qesh).

– Jeni mik me Del Bosken. Çfarë mendimi keni për të?
Ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Të gjithë thonë se është e lehtë të fitosh me lojtarët që pati ai, por ai ia arriti me një përulësi të madhe. Në takimin mes trajnerëve në Paris na tha: “Kam fituar sepse kisha lojtarë të mirë”. Unë them se diçka e tillë ndihmon, por duhet t’u japësh atyre motivim për t’i bërë të fitojnë gjithnjë.

– Është më e vështirë të fitosh trofe me Spanjën apo të kualifikohesh me Shqipërinë në Kampionatin Europian?
Janë dy suksese të ndryshme. Spanja pas 2008-s arriti të fitojë edhe më 2010-n dhe 2012-n. Ne shkuam në Hënë me kualifikimin për në Kampionatin Europian dhe tani është më e vështirë për ta përsëritur në vitet në vazhdim. Disa ditë më parë u thashë lojtarëve: “Jeni ngjitur nga kategoria e dytë në të parën. Tani duhet të tregoni që jeni lojtarë të së dytës që luftojnë në të parën. Nëse mendojmë se jemi lojtarë të së parës, jemi të vdekur”.

Kemi ende dëshirë, ëndrra vazhdon…
Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” duke komentuar faktin që Shqipëria udhëheq aktualisht grupin ku bëjnë pjesë Spanja dhe Italia. “Ëndrrat ndihmojnë për të jetuar më mirë, por kur kam parë klasifikimin kam buzëqeshur. Pas dy ndeshjesh nuk dua të them asgjë sepse jemi të parët falë një kalendari favorizues”, ka thënë tekniku i kuqezinjve.
Më tej ai ka folur për shanset e Shqipërisë për të shkuar në Kupën e Botës duke marrë pjesë në një grup tejet të vështirë. “Vlera e këtyre fitoreve nuk është e njëjtë, por ne jemi të kënaqur. Kishim shumë për të humbur pas Kampionatit Europian, por kemi ende të njëjtën dëshirë, përqendrim dhe përkushtim. Nuk na kërkohet të shkojmë me patjetër në Kupën e Botës, por ne do të tentojmë njësoj si në kualifikueset e Francës. Në jetë kurrë mos thuaj kurrë, do të bëjmë gjithçka për t’ia vështirësuar jetën Spanjës dhe Italisë”, përfundoi De Biazi.

Exit mobile version