Ish-trajneri i kombëtares, Astrit Hafizi e sheh kritike situatën e krijuar nga largimi i disa lojtarëve drejt kombëtares së Kosovës. Hafizi bën me përgjegjësi trajnerin De Biasi, veçanërisht për Rashicën e Mehën.
“Mendoj se së pari këto vendime vijnë prej qejfmbetjes së këtyre lojëtarëve për mospërfshirjen në Europianin e Francës. Është një moment që pasi ata nuk u afruan nga De Biasi, marrin një vendim të menjëhershëm për t’iu bashkuar Kosovës.
Të them të drejtën më vjen shumë keq për Rashicën. Nëse unë do të isha trajner i kombëtares, këtë lojtar do ta kisha marrë patjetër në Europian. Ai duhej promovuar si një i ri, duke qenë se në kampionatin holandez ka shkëlqyer.
Gjithsesi këto janë vendimet e trajnerit, por edhe për Mehën mund të them se De Biasi duhet ta kishte marrë më tepër në konsideratë. Ai dha shkëndija të mira, por nuk di pse u harrua. Ndërsa për Shalën, mendoj se ka bërë zgjedhjen e duhur, pasi mund të ndihet më mirë te Kosova dhe mbi të gjitha aty mund të jetë titullar”, shprehet Hafizi.
I pyetur për faktin se De Biasi ka thënë se nuk mban përgjegjësi për rastin e Rashicës, Hafizi përgjigjet: “Shikoni, filozofia e De Biasit është e qartë për këdo tashmë dhe dihet mënyra se si vepron ky trajner për të arritur rezultatin. Ai çdo gjë e lidh me lojën e disiplinuar, taktike dhe natyrisht mbrojtëse. Nëse merrte Rashicën, jam i bindur që do ta justifikonte, por me atë mënyrë loje që bën Shqipëria, De Biasi ka menduar se nuk i hyn në punë ky lojtar. Ne shënuam vetëm një gol, kuptohet mirë filozofia”.
Hafizi mendon se nëse do të ketë largime të tjera, Shqipëria nuk bën dot një formacion.
“Së pari, duhet të kuptojnë tashmë se nuk mund të flitet më për një ekip kombëtar. Janë dy skuadra: Shqipëria dhe Kosova. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, Shqipëria nuk bën dot një formacion, pasi mbeten vetëm 8-9 lojtarë.
Mendoj se do të kemi probleme, pasi nuk mund të krijohet një ekip kombëtar me 11 lojtarë. Besoj se jemi shumë të vonuar dhe për një gjë të tillë duhet të ishte menduar më shpejt, sepse dihej që një ditë do të vinte edhe kjo situatë. Menduam se kapëm qiellin me dorë, por po shoh që gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet”.
Kosova ka afruar edhe disa lojëtarë të tjerë që luajnë në Europë, ndërsa nuk përjashtohen largime të tjera nga radhët e kombëtares. I vetmi që ka mohuar publikisht largimin deri tani është Taulant Xhaka.