De Biazi tifo për Juventusin

E kaluara te Interi rrallë herë e lejon të shprehet pozitivisht për Juventusin, por Xhani de Biazi këtë radhë e ka bërë një gjë të tillë, duke komentuar fitoren e bardhezinjve ndaj Portos në Ligën e Kampionëve. “Juventusi ka treguar në fushë atë që është cilësia e skuadrës, ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës me dy lojtarë që hynë në fushë si zëvendësues dhe ky është një motiv kënaqësie të madhe për trajnerin. Mendoj se ka arritur atë që ishte vendosur si objektiv në ndeshjen e parë: të fitohej me diferencë pa pësuar gol.
Besoj se në përgjithësi ishte një ndeshje ku Juventusi nuk ka shpenzuar shumë energji. Në pjesën e parë ka vuajtur pak, por njëkohësisht as nuk ka zhvilluar lojën harmonike siç e ka të zakonshme të bëjë, pasi nga ana tjetër është një kundërshtar, i cili të vë gjithmonë në vështirësi. Megjithatë, mendoj se Juventusi mund të jetë i kënaqur me këtë 2-0 pasi është një rezultat që e çon në ndeshjen e kthimit pa shumë shqetësime”, komentoi De Biazi nga studiot e televizionit “RSI”.
Më pas, ai u ndal te paraqitjet individuale të futbollistëve që zbritën në fushë për skuadrën italiane.
“Pjaca është një lojtar që ndoshta duhet të përmirësohet taktikisht, por që ka disa cilësi të jashtëzakonshme, ka ndryshim hapi, dribling dhe gjuajtje. Duhet të ketë nevojën e rritjes si njeri dhe si personalitet.
Nëse luan te Juventus ku ka cilësi të tilla, mendoj se do të jetë e vështirë që ky djalosh të imponohet në skuadër, pasi pastaj fillojnë e dëgjohen zërat e të tjerëve në dhomat e zhveshjeve. Të tjerët mund të kenë më pak aftësi nga pikëpamja fizike e teknike, por kanë siguruar më shumë eksperiencë dhe kanë shumë vazhdimësi në rendimentin e tyre”, tha De Biazi duke bërë të qartë se për kroatin e talentuar do të ishte shumë e vështirë të gjente hapësira me vazhdimësi pavarësisht golit të shënuar dje.

Exit mobile version