De Boer qëndron!

Pikëpyetjet ishin të shumta për të ardhmen e tij në stolin e Interit, por në prag të ndeshjes së mesjavës kundër Torinos, trajneri Frank De Boer u shfaq i qetë përpara mediave në konferencën e zakonshme për shtyp. Ndaj “Demave” ekipit zikaltër i nevojitet një fitore për të larguar përkohësisht presionin dhe trajneri holandez është i vetëdijshëm për këtë. “Më kanë cilësuar të mbaruar edhe herë të tjera, por unë nuk kërkoj hakmarrje. Jam i lodhur, duke komentuar këto zëra. Nga kjo situatë mund të dalim, nëse qëndrojmë të bashkuar, shoqëria, stafi dhe lojtarët. Klubi ka besim te unë dhe e di shumë mirë që kam ardhur në momentet e fundit dhe më duhet kohë. Nuk mund të mendosh se mund të ndryshosh gjithçka brenda pak javësh. Pjesa e parë në Bergamo ishte më e keqja që kur unë jam këtu. Jam i bindur se skuadra më ndjek ende. Torino po kalon një moment shumë të mirë, por tani nuk mund të gabojmë më”, u shpreh De Boer.
Në vijim, trajneri zikaltër flet edhe për zgjedhjet që i duhet të bëjë. “Nuk është asnjëherë e lehtë të zgjedhësh mes 29 lojtarëve që ke në dispozicion. Ndoshta do të ishte më e lehtë, nëse do të kisha 22 emra. Gjithsesi, tani është e rëndësishme për ne të besojmë se Suning na mbështet. Nuk pendohem që erdha në Itali, sepse më pëlqen Milano dhe tifozët e Interit. Ne po bëjmë gjithçka për të zgjidhur problemet që kemi, sepse kur pësojmë gol të parët kjo gjë na rëndon shumë”, tha trajneri i Interit. De Boer e pranon se nuk i njeh mirë mekanizmat e futbollit italian, por bashkë me skuadrën po punon për të gjetur zgjidhjet ideale në varësi të çdo kundërshtari.
Githsesi, ndeshjen ndaj Torinos do të jetë vendimtare për Frank De Boer. E ardhmja e trajnerit holandez në stolin e skuadrës zikaltër vazhdon të jetë në fije të perit, por sipas asaj që raportojnë mediat italiane De Boer do ta ketë edhe një shans të fundit. Ish-tekniku i Ajaxit do të jetë në stolin e Interit edhe në sfidën e kësaj mesjave ndaj skuadrës së Mihajloviç. Në varësi të rezultatit që do të regjistrojë Interi në atë ndeshje do të varet edhe e ardhmja e De Boer. Në Milano këtë të hënë mbërriti Steven Zhang, djali i pronarit të Interit, Zhang Jindong, i cili menjëherë pati një takim nga afër me trajnerin De Boer.
Të premten ndërkohë do të mbahet asambleja e aksionerëve dhe në ditët e ardhshme pritet të vijnë në Milano edhe Erick Thohir dhe drejtori i përgjithshëm i “Suning Group”, Yang Yang. De Boer këtë të martë do të dalë si zakonisht në konferencë për shtyp përpara ndeshjes së radhës që është ajo ndaj Torinos. Ndërkohë një lajm aspak i mirë për teknikun e Interit vjen nga gjykatësi sportiv që me anë të provës televizive, ka dënuar me 3 ndeshje pezullim mesfushorin kilian Gary Medel, për një ndërhyrje aspak sportive të këtij të fundit ndaj Jasmin Kurtiç që i shpëtoi syrit të gjyqtarit Doveri.

Exit mobile version