De Boer: Të fitojmë në Bergamo

Pas suksesit të rëndësishëm kundër Southampton, Interi rikthehet në kampionat dhe trajneri De Boer kërkon të fokusohet tërësisht te transferta e vështirë e Bergamos. Pas 2 humbjeve rresht, zikaltërit kërkojnë tre pikë dhe trajneri holandez nuk njeh rrugë të mesme. “Për mua është shumë e rëndësishme të luajmë të disiplinuar dhe të tregojmë shpirtin e ndeshjes së mesjavës. Duhet të përmirësohemi në lojën me top, por me dorën në frena. Një fitore do të na ndihmonte shumë dhe do të na jepte besim. Shpresoj që në fushë të shikojmë një skuadër me shpirt dhe jam i bindur se mund të largohemi me një rezultat pozitiv”, u shpreh De Boer.
Zërat për një largim të mundshëm nga stoli i Interit janë shtuar kohët e fundit, por De Boer nuk dëshiron të fokusohet në këtë çështje. “Unë kam si objektiv vetëm punën me stafin dhe lojtarët. Është e vetmja gjë që mund të bëj. Kam shumë besim tek të gjithë. Sipas opinionit tim, treguam rritje kundër Southamptonit, sidomos në mbrojtje. Duhet të përmirësohemi edhe më shumë, por mendoj se jemi në drejtimin e duhur”, tha ai.
Në fund, ai komenton edhe momentin aspak pozitiv që po kalon kapiteni Maur Icardi për shkak të polemikave në distancë me tifozët. “Ai ka shënuar shumë dhe tani që nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës krijohen polemika. Janë edhe mesfushorët ata që duhet të hyjnë më shpesh në zonën kundërshtare, sepse nëse Icardi është vetëm, për të bëhet më e vështirë”, përfundoi trajneri i Interit.

Exit mobile version