De Gea vendos kushte për rinovimin

David De Gea kërkon të paktën 300 mijë stërlina në javë, që të rinovojë me Manchester United. Portieri spanjoll, 28 vjeç, thuhet se dëshiron të qëndrojë në “Old Trafford”, pas spekulimeve të fundit, por pret një rritje rekord të rrogës.
Kohët e fundit, drejtuesit e “Djajve të Kuq” e aktivizuan klauzolën e zgjatjes automatike 1-vjeçare të marrëveshjes aktuale të De Gea-s, duke e siguruar qëndrimin e nr.1 në Mançester deri në vitin 2020. Megjithatë, të gjitha palët duan kushte të reja tani, shkruan “Daily Mail”.
De Gea ishte heroi i fitores së ndeshjes së fundit, kur Ole Gunnar Solskjaer triumfoi në ndeshjen e tij të pestë në Premier League, kundër Tottenham, të dielën. Spanjoll bëri pritje spektakolare, të jashtëzakonshme. Nëse Rashford, i cili shënoi në ndeshjen e tretë radhazi, dhe Paul Pogba, kanë lulëzuar me të vërtetë nën filozofinë sulmuese të trajnerit Solskjaer, De Gea ka qenë ndoshta edhe më i mirë.
Tani, duke qenë i lumtur me këtë klub, portieri spanjoll është i gatshëm ta përfundojë potencialisht karrierën e vet në “Old Trafford”. Ai fiton rreth 200 mijë stërlina në javë te Manchester United, ndërsa për rinovimin kërkon rritje me të paktën 50 për qind të pagës aktuale.
Klubi dhe portieri janë gati të negociojnë, ndërsa lojtarët e Manchester United kanë ngulmuar për ta bindur atë, që të qëndrojë. Më parë, këtë javë, Jesse Lingard tha: “Ne duam që ai të qëndrojë. De Gea është një nga portierët më të mirë në botë, nëse jo më i miri”.

Exit mobile version