Qendërmbrojtësi holandez i Juventusit, Matthijs de Ligt, ka thënë se ai e kupton pse tifozët kanë qenë të zemëruar me të, mirëpo ka shtuar se ai do të jetë i përqendruar që të përmirësohet.
20-vjeçari e ka gjetur veten nën presion të madh në Allianz pas transferimit të tij për 85 milionë euro nga Ajaxi në Juventus gjatë verës së kaluar.
De Ligti e kishte zënë një vend në formacionin e parë të Juventusit përkrah Leonardo Bonuccit në fillim të sezonit, mirëpo më vonë, në fund të vitit 2019, e humbi këtë vend shkaku i paraqitjeve mbresëlënëse të Merih Demiralit.
Por, tani, Demirali e ka pësuar një lëndim të rëndë – i lëndoi ligamentet dhe eshtrat e gjurit në ndeshjen kundër Romës – dhe De Ligti u kthye si titullar në dy fitoret e fundit të Zonjës së Vjetër, kundër Udineses dhe Parmas.
Ai ka thënë se tifozët kanë të drejtë të reagojnë kur ai bën gabime të mëdha si në fillim të sezonit, mirëpo shtoi se është duke u përqendruar që të përmirësohet.
“Është normale, është e gjitha normale. Nëse unë do të kisha qenë në vend të tyre, edhe unë do të isha zemëruar me gabime të atilla. Por, si lojtar, këto janë probleme që s’duhet të më interesojnë”, ka thënë De Ligti për Tuttosport.
“Unë vetëm duhet të mendoj për të punuar sa më shumë që të përmirësohem, për ta kuptuar se a jam duke bërë progres apo jo”.
Përkundër këtij fillimi të vështirë të karrierës në Allianz, mbrojtësi i ri e i talentuar ka insistuar se ai është i lumtur me gjashtë muajt e tij të parë me bardhezinjtë.
“Sigurisht, unë jam i lumtur me mënyrën se si kanë kaluar gjashtë muajt e mi të parë këtu. Jam i bindur se vetëm sa do të përmirësohem me kalimin e kohës, ndeshje pas ndeshjeje”.