De Rossi mendon lamtumirën nga Roma

Kartoni i kuq në ndeshjen përballë Portos, për ndërhyrjen vrasëse ndaj Maxi Pereira-s, kompromentoi shanset e Romës për të luajtur në Champions League. Pas episodit të evitueshëm dhe që detyroi mbrojtësin t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale dhe ku u gjobit nga klubi verdhekuq, Daniele de Rossi po mendon largimin nga Roma.
Për një lojtar me pjekurinë dhe eksperiencën e tij, mesfushori është i pari që e ka kuptuar se gaboi dhe se vendimi i gjyqtarit ishte mëse i drejtë pas ndërhyrjes së rrezikshme. Për të ishte kartoni i kuq numër 14 në karrierë, ku 12 herë është ndëshkuar me Romën dhe në dy raste me kombëtaren italiane, por pas kësaj ngjarje lojtari e sheh veten në një pozicion aspak të thjeshtë.
Për të parën herë, De Rossi po shqyrton alternativën, nëse ka ardhur momenti që t’i japë lamtumirën verdhekuqve në qershor të vitit të ardhshëm, për ta mbyllur karrierën në Shtetet e Bashkuara.
Nëse një transferim i tillë do të realizohej, Roma do ta shihte veten në vështirësi, sepse në të njëjtën periudhë kohe përfundon edhe kontrata e kapitenit Francesco Totti. Merkatoja e ardhshme e verës mund të vulosë në këtë mënyrë largimin e të gjithë futbollistëve romanë nga skuadra, me klubin që duhet të përgatisë një strategji të qartë për ringritjen, pasi eliminimi nga Champions përveç faturës financiare ndikon edhe në imazhin e skuadrës.
Ishte viti 2004 kur De Rossi, në atë kohë 21 vjeç u ndëshkua me të kuqe në takimin me Leverkusen. Në të njëjtin sezon ai mori dhe dy të kuqe të tjera, në distancë prej 3 ditësh nga njëra-tjetra, në kampionat dhe Champions. Në vitin 2006 nervozoi edhe trajnerin Spaleti, kur që në minutën e 27-të të pjesës së parë kundër Bryzh u largua për një faull të rëndë. Aftësia e De Rosit për t’i bërë dëm shokëve të skuadrës u verifikua edhe në finalet e kampionatit botëror, kur bërryli i tij u ngjesh në fytyrën e amerikanit Mekbrajd. Komisioni i disiplinës e ndëshkoi me 4 ndeshje pezullim, edhe pse Lipi e mori edhe në finale.
Ndërhyrje të rënda, grushte apo topa të shkelmuar në nervozizëm. Karriera e De Rosit është e mbushur me episode të tilla. Më 2011 një bërryl në fytyrën e Sërnës së Shaktar, në një dyluftim pa top, e la jashtë fushe për 3 ndeshje pas provës televizive. Të njëjtin gabim e përsëriti më 2012, sërish pa top, i plasi një grusht në fytyrë Maurit. Ishte derbi me Lacios, që fitoi 3-2. Një faull i rëndë në dëm të Kielinit më 2014 u shoqërua me një tjetër të kuqe direkte. Në më shumë se një rast De Rosi është ndëshkuar bashkë me një tjetër shok të skuadrës, ose është pezulluar nga prova televizive. Seria e të kuqve vijoi edhe me ekipin kombëtar në vitin 2015, në ndeshjen kundër Bullgarisë: gol me penallti dhe më pas karton i kuq për reagim ndaj kundërshtarit. Dhe e fundit mbrëmjen e së martës, kundër Maksi Pererës, me një eliminim që e skuq shumë De Rosin, por dhe Romën.

Exit mobile version