Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Administrata Antidrogë e Shteteve të Bashkuara (DEA) përgëzojnë Policinë Shqiptare të Shtetit për kapjen e 613 kilogramë kokainë kolumbiane dje në Durrës. Përmes një deklarate për mediat, Ambasada e SHBA-së në Tiranë deklaron se kjo është sasia më e madhe e kokainës apo heroinës që është kapur prej vitesh. Për Ambasadën amerikane, kapja e një sasie kaq të madhe kokaine është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje. Ambasada nënvizon se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar trafikimin e drogave në Shqipëri dhe për të arrestuar personat përgjegjës.
Reagimi: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Administrata Anti-Drogë e Shteteve të Bashkuara (DEA) përgëzojnë Policinë Shqiptare të Shtetit për kapjen e 614 kilogramë kokainë kolumbiane dje në Durrës. Kjo është sasia më e madhe e kokainës apo heroinës që është kapur prej vitesh. Është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar trafikimin e drogave në Shqipëri dhe për të arrestuar personat përgjegjës”.