Debatet për koncesionin e Aeroportit, përse qeveria refuzoi të negocionte kostot

Marrëveshja e re per heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit ka ngjallur debate të ashpra në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Deputetët e opozitës të pranishëm në komision kanë kërkuar llogari se përse nuk janë negociuar kostot siç parashikohej në marrëveshjen e mëparshme, si dhe kanë kërkuar konfirmim nga Ministria e Transporteve për shitjen e Aeroportit të Tiranës dhe efektet që do të ketë tek qytetarët.
Por këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje për shkak se marrëveshja është hedhur në votim papritur dhe është miratuar me votat e mazhorancës. Më herët vëmendja është përqendruar edhe në faktin se infrastruktura e aeroportit të Kukësit nuk lejon operimin e linjave me më shumë se 100 pasagjerë ç’ka do të sjellë edhe vështirësi në futjen e linjave low cost. Marrëveshja në fjalë është diskutuar njëkohësisht edhe në Komisionin parlamentar të Ligjeve ku është votuar vetëm nga deputetët e shumicës.
Në fillim të muajit prill, ministri Haxhinasto nënshkroi kontratën me kompaninë koncesionare, sipas të cilës hiqet eskluziviteti i fluturimeve, me qëllim hapjen e tyre në aeroporte të tjera në vend, fillimisht në Kukës dhe më pas, në jug të vendit.
Kjo marrëveshje, e cila st është miratuar vetëm me votat e maxhorancës gjatë Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dhe që pritet që të votohet në këtë seancë parlamentare të enjtën, është kundërshtuar nga deputetët opozitarë.
Ata kanë diskutuar për mosnegocionim e kostove të marrëveshjes, si dhe kanë kërkuar qartësi për shitjen e koncesionarit të Aeroportit të Tiranës, nga kompania Tirana Airport Partners sh.p.k.. kompanisë kineze “Everbright Global Airport and Investment Fund”.
Diskutimet kanë vijuar edhe për funksionimin e aeroportit të Kukësit, sipas deputetëve opozitarë infrastruktura e tij do të krijojë vështirësi në futjen e linjave low cost, duke qenë se nuk lejon operimin e linjave me më shumë se 100 pasagjerë.
Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana Airport Partners”, sh.p.k., për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, ratifikuar me ligjin nr.9312, datë 11.11.2004”.

Asnjë argument për kostot

Qeveria shqiptare dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë të premten (22 prill) propozimin për amendimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Rinasit, por relacioni shoqërues i propozimit nuk mbart vlerësim ekonomik për humbjet apo përfitimet e mundshme që pritet të sjellë ky ndryshim. Propozimi i jep kompanisë koncesionare automatikisht dy vjet shtesë në kontratën fillestare 20-vjeçare, një ndryshim që mund të sjellë kosto shtesë për ekonominë shqiptare nga monopoli i fluturimeve ndërkombëtare, ndërkohë që përfitimet janë të pasigurta.
Qeveria shqiptare ka negociuar herë pas here që nga viti 2007 me kompaninë të cilës i dha monopolin e fluturimeve ndërkombëtare me një kontratë koncesionare të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2004, për ta hequr klauzolën e ekskuzivitetit dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të mundshëm të aeroporteve të reja në vend. Përgjatë të gjithë këtyre viteve, Aeroporti i Rinasit ka mbajtur çmime të larta të arritura përmes negociatave me Ministrinë e Transportit dhe ka realizuar fitime të mëdha deri në 30 për qind mbi të ardhurat e veta. Kompania, aksionerët e së cilës kanë ndryshuar disa herë përgjatë dhjetë viteve, ka kundërshtuar kërkesën e qeverisë për heqjen e klauzolës së ekskluzivitetit, duke kërkuar kompensim. Pas shumë vitesh bisedimesh, Ministria e Transportit deklaroi më 1 prill se e kishte arritur marrëveshjen, në bazë të së cilës, Aeroporti i Rinasit heq dorë pjesërisht nga të drejtat e fluturimeve ekskluzive në këmbim të zgjatjes së kontratës. Sipas marrëveshjes, e cila duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë që të marrë fuqi ligjore, kompania Tirana International Airport fiton dy vjet shtesë në kontratën aktuale dhe lejon qeverinë shqiptare që të hapë për fluturime ndërkombëtare Aeroportin e Kukësit, ndërsa kontrata do të zgjatet më tej në rast se Shqipëria vendos të hapë një aeroport tjetër përveç Kukësit. Qeveria ka shprehur më herët dëshirën për të zhvilluar për transport civil ish-aeroportin ushtarak të Vlorës.
Sipas amendimit të kontratës me TIA, koncesioni i Rinasit do të zgjatet me 0.5 vite për çdo vit operimi shtesë të një aeroporti të mundshëm në Vlorë. Kontrata aktuale ka filluar të zbatohet më 23 prill 2005 dhe skadon në prill 2025. Me propozimin aktual ajo shtohet automatikisht deri në vitin 2027.
Por ndërsa Ministria e Transporteve nuk ka bërë transparencë mbi mënyrën se si u arrit marrëveshja, Autoriteti i Konkurrencës publikoi një vendim ku në mënyrë eksplicite kërkohej që formula e propozuar për marrëveshje të mos pranohej.
Autoriteti i Konkurrencës në opinionin e vet sugjeronte që zgjatja e afatit të marrëveshjes nuk duhej të pranohej apriori nga Ministria e Transportit, por duhej të mbështetej në një logjikë të qartë kostosh dhe përfitimesh. Sipas leximit të amendimit të propozuar të kontratës nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, koncesionari merr dy vjet zgjatje kontrate pavarësisht nëse Aeroporti i Kukësit vihet në punë apo jo dhe pavarësisht se çfarë pjese tregu dhe çfarë dëmi mund t’i shkaktojë Rinasit Aeroporti i Kukësit.

Exit mobile version