Premtimin për shëndetësinë falas nuk e kanë besuar as vetë deputetë të mazhorancës. Petrit Vasili nënkryetar i LSI u shpreh se s’ka besuar asnjëherë në këtë premtim. Po ashtu, Vasili shprehu ankesa edhe për mospërfshirje në buxhet të investimeve të reja në shëndetësi.
Vasili: Në gjuhën e popullit është shërbimi falas. Nuk e kam besuar fjalën falas. Ky objektiv për një mijë arsye objektive është i pamundur të realizohet.
Beqaj: Ne kemi përfunduar këto ditë dy projekte të rëndësishme. Është një vlerësim ndërtim dhe pajisje 9.3 milionë euro.
Deputetja demokrate Albana Vokshi kërkoi që Beqaj të pranojë dështimin e shëndetësisë falas.
Vokshi: Sistemi kontributiv ke thënë i dështuar, ke thënë do ta ndryshojë. Nuk të shpëton zhurma, por përgjigju pyetjes.
Sipas parashikimit, Ministria e Shëndetësisë do të mbështetet në vitin 2017 me një buxhet prej 47 miliardë e 30 milionë lekësh që është me rreth 3 % më i lartë se viti i kaluar.
Në komision nuk munguan edhe batutat lidhur me incidentin e mëngjesit ku disa të rinj kanë hedhur domate dhe vezë në drejtim të automjetit të ministrit.
Vokshi: Domatet dhe vezët para ministrisë që ju drejtoni do ta kishin ndryshuar marrëdhënien tuaj me mashtrimet dhe gënjeshtrën.
Një grup të rinjsh të PD e pritën daljen e ministrit me një pankartë dhe thirrjet hajdut.