Ka një debat për Akademinë e Shkencave. Rama duket i ka vënë syrin godinës së këtij institucioni.
Gudar Beqiraj është sërish kryetar i Akademisë së Shkencave. Me 28 vota pro dhe 3 kundër, anëtarët e Asamblesë zgjodhën Beqirajn si kryetarin e ri, i cili më herët mbante postin e zv/kryetarit.
Duket si një rrokadë ajo mes dy posteve kryesore në këtë institucion, pasi ish-kryetari Muzafer Korkuti tanimë do të mbajë postin e numrit dy të këtij institucioni. Pak minuta para fillimit të procesit, të cilin e quajti farsë, kryeministri Edi Rama reagoi duke paralajmëruar një përplasje finale me Akademinë e Shkencave.
“Nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, shkruante Rama.
Kreu i qeverisë e ka parë të domosdoshëm ndryshimin në këtë institucion. Ai ka shkuar më tej duke thënë se do t’i merret edhe godina Akademisë nëse nuk reformohet.
Kryetari i sapo zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj doli kundër kryeministrit Edi Rama për sa i përket bllokimit të fondeve të shtetit për këtë institucion.
“Për mua është nder dhe përgjegjësi që më ngarkuan detyrën e drejtimit të Akademisë së Shkencave. Duke pasur parasysh eksperiencën që kam, jam dakord të jemi bashkëpunues me qeverinë për të realizuar reformën në ASH dhe jam i sigurt që kjo do ta çojë përpara akademinë.
Akademia e Shkencave nuk duhet të jetë pa institute, duhet të ketë institute si dikur dhe në këtë mënyrë ASH do të ketë më shumë produktivitet.
Duke qenë matematicien mendoj se ASH duhet të jetë më produktive për të realizuar detyrat që ka qeveria për ekonominë shqiptare, duke filluar nga ujërat, energjinë, bujqësinë, etj.
Nuk besoj të ndodhë bllokimi i fondeve, pasi ne jemi gati ta reformojmë ASH”, tha ai.
I pyetur në lidhje me mospjesëmarrjen e Artan Fugës në votime, Beqiraj u shpreh se ai duhet të ishte këtu për të votuar, pasi kjo ishte detyra e akademikëve për sot.
Vetëm pak minuta pas zgjedhjes së Gudar Beqirajt si kryetar i Akademisë së Shkencave, Kryeministri Rama njoftoi prerjen e fondeve për këtë institucion, duke e quajtur farsë procesin që u zhvillua sot. “Meqë “Akademia” zgjodhi farsën, uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës”, komentoi Rama në Tëitter. Ai i referohet një paralajmërimi që dha mëngjesin e sotëm, ende pa nisur zgjedhjet në Akademi. Në të ai shkruante se, nëse Akademia e Shkencave nuk do të pranojë reformën, ajo nuk do të marrë asnjë fond nga buxheti i shtetit dhe do t’i duhet të dorëzojë godinën. Duke i qëndruar këtij paralajmërimi, Rama pohoi se fondet e shtetit që normalisht shkojnë për Akademinë e Shkencave, do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor.