Debati për fondet e SPAK, reagon Basha: Asgjë nuk ndryshon, fiancohet nga taksat e shqiptarëve, ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. Hallexhinjtë e SPAK po kapen si i mbyturi pas fijes së kashtës

Rigels Seliman

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka goditur dje fort armiqtë e reformës në drejtësi, duke denoncuar përpjekjet e “Trekëndëshit të Bermudës”, që nënkupton Ramën, Berishën dhe Metën për të sabotuar punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sipas Bashës, ndërsa shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për korrupsionin, tre politikanët që kanë dominuar tranzicionin shqiptar janë të tmerruar nga frika e llogaridhënies. Me mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe BE, Z. Basha thekson gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, se SPAK është kthyer në një mekanizëm të pakthyeshëm për goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa sipas tij, ata që kanë përfituar nga ky sistem i kalbur po tentojnë ta pengojnë me çdo mjet.

Ndërkohë deputeti Basha thekson se lufta kundër korrupsionit nuk është më një betejë politike, por një domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë. Ai akuzon qeverinë dhe aleatët e saj të vjetër për sabotimin e reformës, duke penguar amendamentet që forcojnë drejtësinë dhe duke përdorur Kuvendin si një barrierë kundër ndëshkimit të korrupsionit. Megjithatë, kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha shprehet i bindur se shqiptarët nuk do të mashtrohen më dhe se reforma në drejtësi do të vazhdojë përpara, pavarësisht përpjekjeve të “Trekëndëshit të Bermudës” për ta ndalur atë.

Reagim i Z. Basha për gazetën “SOT”

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është interes jetik për Shqipërinë dhe çdo shqiptar. Korrupsioni dhe krimi janë arsyet që kanë pamundësuar jetën e qytetarëve shqiptarë, kanë detyruar qindra mijëra të marrin rrugët e botës dhe kanë deformuar vullnetin zgjedhor të shqiptarëve, duke i dhënë mandat krimit dhe vetë kryeministrit. Prandaj, SPAK ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe duhet të kishte mbështetjen e qeverisë dhe çdo politikani. Por hallexhinjtë e SPAK kapen si i mbyturi pas fijes së kashtës nga dëshpërimi dhe po bëjnë gjithçka për ta penguar punën e tij. SPAK ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. Kjo e fundit, madje, punën e SPAK e ka pjesë të monitorimit në rrugën e vendit drejt BE-së. Furnizuesit më të mëdhenj të SPAK me informacione dhe dosje për krimin e organizuar, lidhjet e krimit me politikën dhe korrupsionin në nivele të larta janë Franca, Belgjika, Gjermania dhe Britania e Madhe, kjo e fundit, ashtu si SHBA-ja, përdor politikën e “non-gratave”.

SHBA prioritet luftën kundër korrupsionit

Asgjë nuk ndryshon: SHBA-ja ka prioritet parësor luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe në gjithë rajonin. Kjo vijon edhe me administratën e Presidentit Trump, pasi për ta kjo është çështje e sigurisë së tyre kombëtare. Urdhri Ekzekutiv i Presidentit për rivlerësimin dhe riorganizimin e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara nuk ka lidhje me punën e SPAK, as e pengon zhvillimin e saj, pasi financohet nga taksat e shqiptarëve, pra nga buxheti i shtetit. Ata që sot fërkojnë duart me propagandë kundër SPAK po japin një mesazh që shqiptarët duhet ta kenë parasysh mirë: ata po u thonë shqiptarëve se mezi presin të vjedhin të qetë, siç kanë vjedhur më shumë se 10 miliardë euro nga buxheti i shtetit në këto 10 vite keqqeverisje. Është e qartë se “Trekëndëshi i Bermudës” nuk e do SPAK-un. Ata janë në konflikt interesi me punën e tij, prandaj po bëjnë çdo gjë për ta penguar. Sikurse ndodhi me lirimin e të korruptuarve të Edi Ramës, që Berisha mundësoi duke bashkuar votat me të, apo siç duan të bëjnë përmes komisionit të posaçëm.

Nga kjo sjellje, qytetarët shqiptarë e kanë të qartë se kush do ta mbajë vendin në këtë gjendje të mjerueshme ekonomike dhe politike dhe kush kërkon një ndryshim të vërtetë përmes forcimit të luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të mirëqeverisjes. Ne, si demokratë euroatlantikë, kemi dëshmuar se qëndrojmë në mbrojtje të SPAK dhe GJKKO, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Amendamentet tona në mbështetje të drejtësisë pengohen në Kuvend nga Rama, me syshkeljen e Berishës, por ato janë provë e vendosmërisë sonë të palëkundur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe, përmes programit tonë, të sigurojmë një të ardhme më të mirë për familjet shqiptare. Lufta kundër korrupsionit është interesi ynë për një Shqipëri me më shumë mundësi për çdo shqiptar. Lufta kundër krimit të organizuar është interesi ynë për sigurinë e jetës dhe pronës së çdo familjeje shqiptare.

Artikulli paraprakSherr në Bashkinë e Vlorës për t’i dhënë Ujin e Ftohtë grabitësit Moisi Lazaj për pallate, Ermal Dredha pjesë e pazarit
Artikulli tjetërNuk ndalen studentët në Serbi, nisin marshimin në këmbë nga Beogradi për në Novi Sad