Dëbohen me dhunë gazetarët e përfaqësues të shoqërisë civile

Me urdhër të Ramës, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë dhe analistë nuk janë lejuar të hyjnë në sallën e Hotel “Tiranës” ku do të bëhej dëgjesa publike e projektit të stadiumit “Arena Kombëtare”.  Garda ka ushtruar dhunë ndaj tyre duke mos i lejuar të hynin në sallë. Mes të ndaluarve ishte gazetari i emisionit “Të Paekspozuarit” dhe drejtori i Përgjithshëm i “Ora News”, Ylli Rakipi, analisti Fatos Lubonja, kryeredaktori i “Lapsi.al”, Andi Bushati dhe kryetari i Forumit për Trashëgiminë Kulturore, Gjergj Bojaxhi. Rreth orës 14:00 (të 29 prillit) ata janë penguar nga rojet e hotelit, por dhe më pas nga truprojet e Kryeministrit duke i dalë përpara dhe duke mos i lejuar të hipin në shkallët që të çonin tek salla ku po bëhej prezantimi i projektit. Ndërkohë një person, i cili prezantohet si shef i i sigurisë së hotelit thotë se ishte pronë private. “Dëgjesa është publike”, thonë përfaqësuesit e Shoqërisë Civile. “Po pse e bën atëherë në pronë private?”, dëgjohet të thotë Lubonjë, Andi Bushati dhe Ylli Rakipi. Në momentin kur ata marrin të ngjisin shkallët drejt sallës ku po bëhej prezantimi ata nuk janë lejuar nga tri roje. Prapa në mbështetje të tyre kanë dalë dhe truprojet e Kryeministrit. “Kemi dy palë roje që nuk na lejojnë. Një palë janë rojet private dhe një palë të Kryeministrit”, u shpreh një nga përfaqësuesit në videon që është shpërndarë online. Lubonja, Rakipi dhe Bushati kanë qenë kritikë me projektin e prezantuar pak ditë më parë për ndërtimin e “Arenës Kombëtare” në vendin ku sot është stadiumi “Qemal Stafa”. Një nga pikat më të kritikueshme të këtij projekti është pikërisht kulla që është parashikuar të ngrihet bashkë me projektin e stadiumit. “Po përdor badigardët e Ram Gecit për të mos lejuar”, tha Fatos Lubonja në një prononcim për median. Dje është përgatitur ky prezantim. “Bëhen gjërat me ngut për të fshehur të vërtetën që qytetarët të mos kuptojnë thelbin e problematikës së stadiumit. Të gjithë duam një stadium, por ai nuk mund të jetë modern vetëm me karrige moderne, por me standard europian”, tha Gjergj Bojaxhi. Ndërkohë Andi Bushati u shpreh: “Edi Ramën e kanë kapur privatët”.
Pjesë nga përplasja:
Lubonja: S’e kuptoj a ishte për publikun e hapur kjo, thotë Bojaxhiu që nuk hyj dot.
Gardisti: Këtu është pronë private dhe nuk keni të drejtë ju, thotë përfaqësuesi.
Lubonja: Pse e bën këtu Kryeministri?
Bushati: E organizon qeveria, kush do të na ndalojë ne?!
Lubonja: Ku është takimi? Ore jeni në terezi apo jo?!
Lubonja: Na u tha për dëgjesë publike. Erdhëm, na lini të hyjmë të dëgjojmë…
Gardisti: Ju nuk keni asnjë lloj të drejte të hyni brenda në sallë…
Lubonja: Është pronë private? Po nuk po e marrim vesh në çfarë shteti po jetojmë…
Gardisti: Unë jam në shërbim…
Lubonja: Po Kryeministri është lejuar të hyjë?
Gardisti: Ju lutem, është pronë private, unë jam në shërbim, mos më protestoni këtu.
Rakipi: Hapeni ore rrugën. Gjithë ky shtet ndalon 5 vetë, hapeni ore rrugën.
Lubonja: Nuk e lënë me privatin, ky është skandal kemi thënë ne ky është privatizimi i shtetit, kulmi i degjenerimit të shtetit, shikoni ça transparence, skandal, paturpësia s’mund të arrijë deri këtu.
Bushati: Është pronë private vëlla, kanë kap edhe Edi Ramën privatët e kanë trembur.
Lubonja: Është një shtet që ka degjeneruar përtej fashizmit dhe kështu do t’i vijë fundi.
Ulërima… ku del zv/kryeministri Niko Peleshi.
Andi Bushati: Edhe Berisha më 21 janar kështu u ruajt me badigardë privatë përpara se të vriste. E mbani mend kjo qe akuza kryesore e opozitës së asaj kohe.
Aktivisit Eljan Tanini: Por në një shtet që toka publike e stadiumit i falet privatit, ku veprat publike i ndërtojnë të njëjtit njerëz dhe ku edhe Kryeministri i prezanton projektet nën mbrojtjen e gorrillave private, nuk mund të presësh gjë tjetër.
Fatos Lubonja: Nuk na lejojnë të hyjmë e të shohim projektin, jo vetëm që është bërë në mënyrën skandaloze, bëhet fakt projekti, pa u diskutuar me publikun, kundër edhe ligjeve të shtetit, se është monument kulture aty, sot marrim vesh që zonja që duhet të firmoste nuk ka firmosur, e ka bërë projektin me dhunë, projekti.
Ku është Fidel Ylli që na ftoi mbrëmë në televizion për të ardhur? (Ylli ftoi në emisionin “Të paekspozuarit” analistët që të merrnin pjesë në mbledhjen e KRT-së për të dëgjuar projektin e stadiumit).

Ylli Rakipi: Rama, njeri hilacak

Gazetari i emisionit “Të Paekspozuarit” në “Ora News”, Ylli Rakipi, i cili të enjten i dedikoi një emision pikërisht projektit të stadiumit pas incidentit në Hotel “Tirana”, ku një grup gazetarësh dhe të Shoqërisë Civile s’u lejuan të hyjnë në dëgjesën për stadiumin u shpreh se nuk ishte lejuar edhe pse kishte pasur një ftesë. “Unë isha i ftuar. Paraqita ftesën, por më thanë nuk do të hysh. Nuk më kishte ndodhur”, tha Rakipi. I pyetur se nga kush ishte ndaluar, Rakipi e cilësoi Ramën si një njeri hilacak, ndërsa theksoi se Kryeministri u kishte kërkuar autoriteteve të sigurisë së hotelit që ta ndalonin. “Nga autoritetet e sigurisë së hotelit, të cilët kooperojnë me qeverinë sa herë i dalin probleme qeverisë. Edhe tek parku qeveria vendosi autoritetet e sigurisë së kompanisë private të merren me qytetarët. Ky është veprimi që bën Edi Rama, i cili është një njeri hilacak dhe vepron në këtë mënyrë”.

Exit mobile version