Starti i Iker Casillas në Champions vjen nga shekulli i kaluar, kur në moshën 16-vjeçare u ftua, më 27 nëntor 1997, me ekipin e parë, për ndeshjen kundër Rosenborg. Ai nuk luajti dhe duhej të priste dy vjet për ta bërë debutimin e tij në garën më të lartë europiane të klubeve. Ndodhi më 15 shtator 1999, në një barazim 3-3 kundër Olympiacos, në tokën greke. Që atëherë, Casillas ka luajtur shumë ndeshje në këtë kompeticion. Ai është lojtari me më shumë paraqitje në Ligën e Kampionëve, me 152 ndeshje nga 170 lojërave që ka luajtur me Real Madridin, ndërsa 18 ndeshjet e fundit i ka luajtur me ekipin aktual, Porto. Sot ai mund të vazhdojë të shtojë “pikë” në këtë drejtim, megjithëse ka qenë zëvendësues në pesë ndeshjet e fundit me “lusitanët”. I dyti në këtë renditje është Xavi Hernández, me 157 ndeshje. Edhe pse ai mbetet aktiv tek Al Sadd, Xavi nuk do të luajë përsëri në Ligën e Kampionëve. Cristiano Ronaldo, me 151 ndeshje, është i treti dhe lojtari i dytë aktiv, që luan në Europë, me më shumë lojëra në Champions. “Luso” mund të vazhdojë të shtojë lojëra, megjithëse është mjaft larg nga ish-partneri i tij, Casillas. Iniesta (129), Ibrahimoviç (124), Buffon (122) dhe Messi (120) janë lojtarët e tjerë aktivë, me më shumë prezenca në këtë garë madhore për klubet në kontinentin tonë.