Debuton me gol

Nisi me një gol dhe një asist të pavullnetshëm që u kthye në një pasim për gol për Cavanin aventura e Kylian Mbappe te Paris Saint Germain. Blerja e dytë më e shtrenjtë e historisë së futbollit shkëlqeu në debutim me klubin kryeqytetas. Një meritë të madhe për këtë e ka prania në skuadër e Neymar Jr., me të cilin Mbappe u kuptua në mënyrë fantastike në fitoren 1-5 të formacionit të Unai Emery në transfertën ndaj Metz. I kënaqur me paraqitjen e tij, 18-vjeçari francez thuri elozhe për yllin brazilian.
“Është e thjeshtë të luash me të. Kemi zhvilluar vetëm 2 seanca stërvitore së bashku, por për t’u kuptuar me një futbollist si Neymar është realisht shumë e lehtë. Ai të transformon, e vetmja që duhet të bësh është të përshtatesh dhe Neymar të shndërron në një futbollist më të mirë”.
Me suksesin e thellë ndaj Metz, Paris Saint Germain siguroi fitoren e 5-të në po kaq takime të Ligue 1, gjatë këtij sezoni teksa kryeson kampionatin francez me pikë të plota 15. Megjithatë sipas Mbappe pavarësisht startit të shkëlqyer që i ka bërë sezonit, skuadra parisiene duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të vazhdojë të luajë me këtë ritëm.
“Arritëm një fitore të rëndësishme, unë shënova një gol, ndërsa skuadra luajti mirë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të jem i kënaqur. Ishte shumë pozitive të vazhdonim rrugën e fitoreve sidomos pas pauzës së kombëtareve. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë në çdo kompeticion ku luajmë. Duhet të vazhdojmë kështu sepse sezoni sapo ka filluar”.
PSG fiton thellë 5-1 në transfertën e Metz në një ndeshje pa shumë histori, ku mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu u aktivizua që nga minuta e parë duke përballuar me sukses në pjesën më të madhe të takimit lojtarin më të shtrenjtë të botës, Neymar. 25-vjeçari shqiptar që debutoi me kuqezinjtë në transfertën e Maqedonisë, u bë protagonist që në minutën e 13 duke ndalur brazilianin, ndërsa 3 minuta më vonë Neymar kreu një faull ndaj tij. Ishte Draxler që në fundin e pjesës së parë u ndëshkua me të verdhë për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër ndaj shqiptarit, i cili tentoi gjithashtu në të 63-ën për të gjetur katërkëndëshin, por pa sukses. Golin e parë të takimit e shënoi Edinson Cavani në minutën e 31 teksa mori një asist nga Neymar, ndërsa Emmanuel Riviere barazoi shifrat në pjesën e parë të takimit. Dalja me të kuq e Benoit Assou-Ekotto e komplikoi situatën për skuadrën vendase që pësoi golin e dytë. Ishte debutuesi Kylian Mbappe ai që e nisi me gol aventurën parisiene.
Neymar thelloi avantazhin e skuadrës kryeqytetase, ndërsa Edinson Cavani shtoi një tjetër gol në minutën e 75. Një tjetër brazilian, por këtë herë Lucas Moura sigloi edhe rrjetën e pestë për ekipin e PSG që konfirmohet në formë të shkëlqyer në këtë fillim kampionati.

Exit mobile version