“DeepSeek”, cila është kompania kineze e inteligjencës artificiale që trazoi tregjet financiare? Reagon edhe Donald Trump

Vëmendja e tërhequr nga programi i inteligjencës artificiale të krijuar nga kompania e re kineze e teknologjisë DeepSeek trazoi tregjet e aksioneve të hënën dhe ndezi debate mbi konkurrencën ekonomike dhe gjeopolitike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Programi ndihmës i kësaj kompanie u bë të hënën aplikacioni nr. 1 i shkarkuar në telefonat iPhone të kompanisë Apple, i nxitur nga kurioziteti për këtë konkurrent të programit ChatGPT. Një pjesë e shqetësimit për disa vëzhgues të sektorit amerikan të teknologjisë është ideja se një kompani e re kineze mund t’i arrijë kompanitë amerikane në krye të novacionit për inteligjencën artificiale, me shumë më pak kosto.

Kjo, nëse është e vërtetë, vë në pikëpyetje shumat e mëdha të parave që kompanitë e teknologjisë amerikane thonë se planifikojnë të shpenzojnë në qendrat e të dhënave dhe mikroqarqet kompjuterikë që nevojiten për të mbështetur përparimet e mëtejshme për inteligjencën artificiale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se teknologjia e kompanisë së re kineze DeepSeek duhet të veprojë si nxitje për kompanitë amerikane dhe tha se ishte gjë e mirë që kompanitë në Kinë kanë dalë me një metodë më të lirë dhe më të shpejtë të inteligjencës artificiale.

“Prezantimi nga DeepSeek, i inteligjencës artificiale nga një kompani kineze, duhet të shërbejë si një thirrje për industritë tona, që ne duhet të jemi të përqendruar për të konkurruar për të fituar”, tha Presidenti Trump në Florida.

Por zhurma dhe keqkuptimet rreth përparimeve teknologjike të kompanisë kineze DeepSeek gjithashtu mbollën konfuzion.

“Modelet që ata ndërtuan janë fantastike, por nuk janë as ndonjë mrekulli”, tha analistja Stacy Rasgon, e cila ndjek industrinë e gjysmëpërçuesve dhe ishte një nga disa analistët e aksioneve që e përshkruan reagimin e bursës Wall Street si të tepruar.

“Ata nuk po përdorin asnjë risi që janë të panjohura apo sekrete apo diçka të tillë”, tha zonja Rasgon. “Këto janë gjëra me të cilat të gjithë po eksperimentojnë”.

Çfarë është “DeepSeek”?

Kompania e re DeepSeek u themelua në vitin 2023 në Hangzhou, Kinë dhe nxori modelin e saj të parë të inteligjencës articiale më vonë atë vit. Drejtuesi i saj Liang Wenfeng më parë bashkëthemeloi një nga fondet më të mëdha të investimeve të Kinës, “High-Flyer”, i cili fokusohet tek tregtimi i drejtuar nga inteligjenca artificiale.

Kompania DeepSeek filloi të tërhiqte më shumë vëmendje në industrinë e inteligjencës artificiale muajin e kaluar kur nxori një model të ri të inteligjencës artificiale, për të cilin mburrej se ishte në të njëjtin nivel me modelet e ngjashme të kompanive amerikane, si programi ChatGPT i kompanisë OpenAI, dhe se ishte me kosto më efektive në përdorimin e mikroqarqeve të shtrenjtë të kompanisë Nvidia për ta trajnuar sistemin me sasi të mëdha të dhënash. Aplikacioni i kompanisë kineze u bë më i disponueshëm kur u shfaq në platformat e aplikacioneve të kompanive Apple dhe Google në fillim të këtij viti.

Por ishte një studim kërkimor që u botua javën e kaluar – në të njëjtën ditë me inaugurimin e Presidentit Donald Trump – që vuri në lëvizje panikun që pasoi. Studimi kishte të bënte me një model tjetër të inteligjencës artificale të kompanisë DeepSeek të quajtur R1, që tregonte aftësi të avancuara “arsyetimi” – të tilla si aftësia për të rimenduar përqasjen ndaj një problemi matematikor – dhe ishte dukshëm më i lirë se një model i ngjashëm i shitur nga kompania OpenAI, i quajtur o1.

“Pavarësisht nga botëkuptimi i tyre për ekonominë”, tha zonja Rasgon, “unë mendoj se niveli i çmimeve i trembi njerëzit”.

Një moment ‘Sputnik’?

Pas dramaticitetit rreth aftësive teknike të DeepSeek është një debat brenda Shteteve të Bashkuara mbi mënyrën më të mirë për të konkurruar me Kinën për inteligjencën artificiale.

“Deepseek R1 është momenti Sputnik për inteligjencën artificiale”, tha sipërmarrësi Marc Andreessen në një postim të dielën në platformën sociale X, duke iu referuar lëshimit të satelitit të vitit 1957, që nisi një garë të eksplorimit të hapësirës gjatë Luftës së Ftohtë, ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara.

Zoti Andreessen, i cili ka këshilluar Presidentin Trump për politikën e teknologjisë, ka paralajmëruar se vendosja e rregullave të tepruara për industrinë e inteligjencës artificiale nga qeveria amerikane, do të pengojë kompanitë amerikane dhe do t’i mundësojë Kinës të ecë përpara.

Por vëmendja ndaj DeepSeek kërcënon gjithashtu të minojë një strategji kyçe të politikës së jashtme amerikane në vitet e fundit, për të kufizuar shitjen në Kinë të gjysmëpërçuesve të inteligjencës artificiale të prodhuara nga Amerika. Disa ekspertë të marrëdhënieve SHBA-Kinë nuk mendojnë se kjo është një aksident.

“Inovacioni i teknologjisë është real, por koha e prezantimit është e natyrës politike”, tha Gregory Allen, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Zoti Allen e krahasoi njoftimin e kompanisë DeepSeek javën e kaluar, me nxjerrjen e një telefoni të ri nga kompania kineze Huawei, e sanksionuar nga SHBA, gjatë bisedimeve diplomatike mbi kontrollet e eksportit të administratës të ish-Presidentit Biden në vitin 2023.

“Përpjekja për të treguar se kontrollet e eksportit janë të kota ose kundërproduktive është një qëllim vërtet i rëndësishëm i politikës së jashtme kineze tani”, tha zoti Allen.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër në ditën e tij të parë në detyrë javën e kaluar ku thuhej se administrata e tij do të “identifikonte dhe eliminonte boshllëqet në kontrollet ekzistuese të eksportit”, duke sinjalizuar se ai ka të ngjarë ta vazhdojë dhe ta forcojë përqasjen e ish-Presidentit Biden.

Aksionet e kompanisë Nvidia ranë 18% të hënën, por kompania në një deklaratë përgëzoi punën e kompanisë DeepSeek si “një avancim i shkëlqyer i inteligjencës artificiale” që përdori “modele dhe përllogaritje të disponueshme gjerësisht që janë plotësisht në përputhje me kontrollin e eksportit”.

Çfarë e dallon kompaninë DeepSeek?

Një gjë që e dallon kompaninë kineze DeepSeek nga konkurrentët si kompania OpenAI është se modelet e saj janë me “burim të hapur” – që do të thotë se komponentët kryesorë janë të disponueshëm për këdo që të ketë qasje dhe që t’i modifikojë, megjithëse kompania nuk ka zbuluar të dhënat që ka përdorur për trajnimin e algoritmit.

Por ajo që ka tërhequr më shumë admirim në lidhje me modelin R1 të DeepSeek është ajo që Nvidia e quan një “shembull perfekt të Shkallëzimit të Kohës së Testit” – ose kur modelet e inteligjencës artificiale demonstrojnë në mënyrë efektive vazhdën e tyre të arsyetimit dhe më pas e përdorin atë për trajnime të mëtejshme, pa pasur nevojë t’i ushqejnë me burime të reja të dhënash.

“Është thjesht si të mendosh me zë të lartë”, tha Lennart Heim, studiues në Rand Corporation.

Modelet e arsyetimit të OpenAI, duke filluar me o1, bëjnë të njëjtën gjë dhe ka të ngjarë që konkurrentët e tjerë me seli në Shtetet e Bashkuara, si Anthropic dhe Google, të kenë aftësi të ngjashme që nuk janë bërë ende të disponueshme, tha zoti Heim.

Por “është hera e parë që shohim një kompani kineze t’i afrohet kaq shumë, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore. Unë mendoj se kjo është arsyeja përse shumë njerëz po i kushtojnë vëmendje”, tha zoti Heim. “Unë besoja se OpenAI ishte në krye, se ishte mbreti dhe se askush nuk mund ta arrinte. Rezulton se nuk është plotësisht kështu”./VOA

Artikulli paraprakI bëri dalje Mitajt duke e hequr nga lista, Loran Blank katranos gjithçka! Tifozët kërkojnë shkarkimin e trajnerit
Artikulli tjetër“Monitoroni institucionet jo-banka”, FMN paralajmëron Shqipërinë: Sfidë plakja, emigracioni dhe mangësitë në qeverisje!