Degradimi i 40 premtimeve të Ramës në 4 vite

40 premtimet e Ramës, me të cilat më 2013 ai mori votën për të qeverisur vendin, sot faktohen si 40 mashtrimet më të mëdha që u janë bërë ndonjëherë shqiptarëve. As edhe një premtim i vetëm nuk është mbajtur. Përkundrejt të gjitha zotimeve të tij, Rama në katër vite pushtet ka bërë tërësisht të kundërtën e çdo premtimi të dhënë, duke fundosur ekonominë e çdo familjeje shqiptare e duke çuar vendin në greminë. Kanabizim, mafie, rrjete kriminale, 550 milionë euro koncesione, 600 milionë euro fasadë, zero kilometra rrugë, ngrirje e pagave dhe pensioneve, ligje klienteliste, korrupsion, zhdukje e shtresës së mesme, 200 mijë shqiptarë kërkuan azil, 56% e shërbimit shëndetësor u bë me pagesë, çmimet bazë të ushqimit më të lartat në Europë, braktisje fshatit, bujqësisë e fermerëve, rritje e çmimit të energjisë me 24.5%, rritje e borxhit me 74%, degradim i çdo shërbimi ndaj qytetarëve, vjedhje dhe korrupsion masiv. Qeverisja Rama-Meta e periudhës 2013-2017 do të cilësohet si qeverisja më e dështuar në 27 vite pluralizëm. “RD” sjell sot për çdo shqiptar ballafaqimin e 40 premtimeve të Ramës, premtime me të cilat ai në vitin 2013 mori votat e shqiptarëve për t’u ngjitur në pushtet, por që sot ai nuk numëron dot qoftë edhe realizimin e një premtimi të vetëm.

Ngjitja e drogës dhe krimit në pushtet

Rivendosja e rendit ishte një nga premtimet e Ramës katër vjet më parë. Edi Rama iu premtoi shqiptarëve forcimin e rendit dhe sigurisë për 300 ditë, ku sipas tij Policia e Shtetit do të rikthehej në detyrë dhe do të garantonte sigurinë. Por sot, katër vite më pas, suksesi i kësaj qeverisje është kanabizimi i Shqipërisë, rikthimi i bandave dhe kriminelëve nga burgjet dhe nga vendet ku ishin, shpërthimet me tritol, kriminalizimi i policisë, fuqizimin e mafies shqiptare, si e treta në botë me në krye Edi Ramën. Në katër vite Tirana u shndërrua në një nga 10 qytetet më të pasigurta të Europës.

Ulja e TVSH me 6% për energjinë elektrike

Katër vjet më parë, Rama u zotua dhjetëra herë para shqiptarëve se do të ulte në 6% TVSH për energjinë elektrike. Pas katër vitesh TVSH për energjinë elektrike nuk u ul asnjë qindarkë.

56% e shërbimit shëndetësor me pagesë

Katër vjet më parë, Rama erdhi në pushtet me premtimin solemn të garantimit të shërbimit shëndetësor falas për çdo shqiptar dhe se, asnjë qytetar shqiptar nuk do të paguajë më sigurime shëndetësore dhe se do të marrë shërbime shëndetësore falas.
Sot, çdo shqiptar paguan sigurimet shëndetësore dhe jo vetëm kaq, por sot sipas Bankës Botërore, çdo shqiptar paguan nga xhepi 56% të shërbimit shëndetësor që duhej ta paguante shteti shqiptar, pra, paguan më shumë se kurrë dhe merr shërbimin më të keq se kurrë. Sot, çdo shqiptar blen 30-45% më shtrenjtë barnat për mjekimin e sëmundjeve më të përhapura në shoqërinë shqiptare.
Sot pas katër vitesh, buxheti i shëndetësisë është katandisur më i ulët se kurrë në historinë e vendit dhe gllabërohet nga klanet gjakpirëse të bllokmenëve të vjetër; klani Nushi-klani Beqaj dhe klani që kanë shndërruar shëndetësinë në gropën e zezë ku vjedhin me thes ditën e natën.

Korrupsioni me ilaçet më elementare

Katër vite më parë Rama premtoi se në spitalet publike do të gjenden të gjitha barnat e nevojshme, që pacientët të mos shkojnë të blejnë më në farmacitë private. Pas katër vitesh, nga vjedhjet e tij dhe të Beqajt, në spitalet publike mungojnë ilaçet më elementare, sepse u vodhën dhe u shpërdoruan fondet nga Beqaj dhe klanet e tij. Sot, qytetarët detyrohen t’i blejnë ato në farmacitë e Beqajt, drejtoreshës apo dopjo kunates së tij rreth spitalit.

Çmimet e produkteve bazë më të lartat në Europë

Katër vite më parë Rama u premtoi shqiptarëve heqjen e TVSH prej 20% mbi ushqimet bazë, pra mbi produktet bazë të shportës, për të cilat ata shpenzojnë shumicën e rrogës së tyre.
Sot, pas katër vitesh, jo vetëm që nuk e hoqi TVSH, por sot ushqimet e shportës, për shkak të inflacionit dhe taksave të tjera, qytetarët shqiptarë paguajnë 15% më shumë sesa katër vite më parë për kafshatën e gojës. Sot çmimet e mallrave të konsumit sipas të dhënave zyrtare të vetë qeverisë (INSTAT) jo vetëm që janë rritur, por Shqipëria shënon rekord për çmimet më të larta në Europë përsa i përket produkteve ushqimore.

300 mijë vendet e punës prodhuan 200 mijë azilantë shqiptarë

Katër vjet më parë Rilindja u premtoi shqiptarëve 300 mijë vende pune. Por sot, sipas statistikave të vetë INSTAT, papunësia është rritur, ku papunësia e të rinjve sipas shifrave edhe të Komisionit Europian ka arritur në nivelin dramatik të 30%. Përkundrejt premtimit për punësimin, qeveria Rama në këto vite nxiti largimin masiv. Drejt dyerve të Europës u nisën mbi 200 mijë shqiptarë, duke e rreshtuar Shqipërinë vendin e dytë në botë për emigracion, për kërkesa për azil politik pas Sirisë. Ndaj dhe shqiptarët më datë 25 duhet t’i japim reston këtij mashtruesi që kërkon paturpësisht një mandat tjetër nga ata.

Rritja me 24.5% e çmimit të energjisë

Katër vjet më parë Edvin Rama iu premtoi shqiptarëve se për familjet e varfëra do të jepte energji elektrike me tarifë të reduktuar. Por sot, pas katër vitesh jo vetëm që nuk caktoi tarifa të reduktuara për familjet në nevojë dhe TVSH e energjisë nuk u ul në 6%, por në një akt cinizmi ekstrem, ai hoqi edhe fashën mbrojtëse prej 300 KV që këto familje e blinin me 7 lekë kilovatin dhe rriti për to çmimin e energjisë në 9.5 lekë për kilovat, duke rritur kështu pikërisht për të varfërit e vendit, pra për 95% të shqiptarëve me 24.5% çmimin e energjisë. Ndërkohë që u ul energjia për më të pasurit apo për 3% të popullatës, u ul për hajdutët e shtetit, për zengjinët. Këtë e ka deklaruar ERE.

Mashtrimi me rritjen e pagave dhe rroga e 13

Katër vjet më parë Rama u premtoi dhjetëra mijëra punonjësve të administratës rritjen e madhe të rrogave, si dhe rrogën e 13-të çdo fundviti. Sot, për mbi 120 mijë punonjës të shtetit shqiptar, që jo vetëm nuk ua rriti rrogat, por ju ngriu në tre vjet me radhë rrogat dhe aktualisht ata marrin 15% më pak se katër vite më parë. Po kështu, jo vetëm që nuk ua dha rrogën e 13-të, por përkundrazi u hoqi dhe shpërblimin prej 100 mijë lekësh që merrnin në fund të vitit.

Asnjë rritje pensionesh në katër vite

Katër vite më parë Edvin Rama iu premtoi 650 mijë pensionistëve shqiptarë se, jo vetëm do të rriste çdo vit pensionet e tyre, por çdo fund viti do t’i shpërblente me tre pensione shtesë, iu premtoi rritjen e pensioneve, iu premtoi fshatarëve barazimin e pensioneve me qytetin. Kurse tani, pas katër vitesh, jo vetëm nuk ua rriti pensionet, jo vetëm nuk u dha tre pensione shtesë në fund të vitit ashtu siç kishte premtuar, por, katër vite me radhë, nuk ju dha asnjë qindarkë shpërblim në fund të vitit përveç këtij viti.

Rriti taksat për 97% të shqiptarëve

Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama u premtoi shqiptarëve se 97% e tyre do të paguante taksa më të ulëta. Shqiptarët të gjithë pa përjashtim paguajnë, nga foshnja e sapolindur tek më i moshuari i këtij vendi, në çdo gjë, taksën më të lartë që ekziston në Shqipëri dhe kjo është TVSH-ja.
Vetëm me CEZ vodhën 640 milionë të faktuara me fatura dhe tani organizojnë farsa për t’i mbuluar.
Përveç kësaj ai rriti çmimin e energjisë me 24.5%, çmimin e shkollimit të fëmijëve me 40%, çmimin e shërbimit shëndetësor me 30%, çmimin e ilaçeve më të përdorura me 30%, çmimin e qirave me 23%, çmimin e naftës me 270 lekë për litër, çmimin e cigareve me 40% dhe çdo shqiptar i paguan sot regjimit të banditokracisë së paku 30%-40% më shumë taksa dhe detyrime, se sa paguanin katër vjet më parë.

Rriti me 150% taksat për biznesin e vogël

Katër vjet më parë Rama premtoi se do t’i hiqte taksën biznesit të vogël. Por sot pas katër vitesh me mijëra biznese të vogla kanë shpallur falimentin dhe janë mbyllur. Kjo për shkak të politikës së rritjes së taksave që ndoqi përkundrejt premtimit për t’i ulur ato në mbështetje të biznesit. Rama vendosi tatim fitimin, iu rriti taksën e lokalit me 150%, iu rriti taksën e energjisë me 150%. Kjo ishte goditja më fatale ndaj biznesit të vogël, i cili sot është në limitet e mbijetesës.

Rrënimi i shtresës së mesme

Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama premtoi politika tatimore që do të krijonin lehtësira të menjëhershme të barrës ekonomike të familjeve me të ardhura të ulëta, të mesme dhe natyrisht, shumë prej tyre e besuan. Kurse sot çdo taksë është rritur, përveç TVSH që nuk u ul, në masën 30-40%.

Rriti borxhin frikshëm në masën 74%

Ndonëse premtoi se do të ulte borxhin publik, të cilin e gjeti në masën 62,6%. Pas 4 viteve, ai jo vetëm nuk uli borxhin publik, jo vetëm nuk mbajti të njëjtin nivel 62.6%, por mori borxh në dy vite, më shumë se sa kishte marrë qeveria e mëparshme në tetë vite, e cila rriti me 4% borxhin publik, kurse Rama në 4 vite e rriti borxhin publik tre herë më shumë, e rriti me 12% apo në 74%.

Gropa e zezë e të ardhurave tatimore

Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama u zotua para shqiptarëve për rritje të të ardhurave buxhetore, pa u bazuar në nivelin e rritjes së taksave. Në vitin 2013, biznesi shqiptar gjatë 20 viteve i ishte borxhli shtetit 70 miliardë lekë. Sa është sot ky borxh në katër vite? 178 miliardë lekë, afërsisht 700 milionë euro, 100 miliardë lekë më shumë pra, se sa ishte.

Rritja me 30% e referencave në dogana

Katër vjet më parë Rama premtoi se do të hiqen referencat në dogana. Sot, pas katër viteve, jo që nuk i hoqi, por i shtoi me 30% ato në artikuj dhe në vlerë dhe nëpërmjet tyre, vodhi dhe voli dhjetëra miliona euro nga biznesi shqiptar.

Për më të varfrit arsimimi u kthye në mollë të ndaluar

Katër vjet më parë Rama u premtoi shqiptarëve se, do të financonte arsimimin e fëmijëve të tyre, jo më pak se 5% të GPD. Pas katër vitesh mbylli dyert e universiteteve për të varfrit e vendit, është përgjysmuar buxheti i shtetit për arsimin, janë rritur me 40%-60% tarifat për shkollat e larta, keni vendosur me ligj sistemin e zhytjes në borxhe gjithë jetën të familjeve që duan të shkollojnë fëmijët e tyre, u ngrinë për tri vite rrogat e mësuesve.

Asnjë kilometër rrugë në katër vite

Më 3 qershor të vitit 2013, Rama shpalli para shqiptarëve zotimet solemne për një infrastrukturë europiane si:
a) Ndërtimi i korridorit të gjelbërt, autostrada Veri-Jug që do të lidhë bashkë 22 copëzat e rrugëve të sotme, nga Hani i Hotit në Kakavijë, me një standard të vetëm europian. Sot, pas 4 vitesh në aksin kombëtar Hani-Hotit-Kakavijë përveç përfundimit të segmentit Memaliaj-Tepelenë, investim ky i qeverisë së mëparshme, një kilometër rrugë në këtë aks as nuk është rindërtuar as nuk është ndërtuar. Pra, sa ç’është gjatësia e aksit, rreth 400 kilometra po kaq është gënjeshta e Ramës.
b) Ndërtimi i Korridorit të Kaltërt, Veri-Jug, që lidh zonat turistike me njëra-tjetrën përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Velipoja në Butrint. As dhe një kilometër rrugë nuk është bërë.
c) Ndërtimi i rrugëve të rëndësishme, si aksi Lushnjë-Berat-Poliçan-Çorovodë, Memaliaj-Tepelenë, Lin-Pogradec. Asnjë kilometër nuk është bërë.
d) Premtimi madhështor para banorëvë të Dibrës, Rruga e “Arbrit”, të cilën qeveria e PD e la gati, pasi ndërtoi mbi 30% të saj, filloi korrupsioni me kompaninë kineze, duke detyruar qeverinë kineze të ndërhyjë për të mos lejuar aktin korruptiv.
dh) Katër vjet më parë u zotua Elbasan-Kuçovë-Berat-Tepelenë, si dhe rruga e Labërisë. Asnjë kilometër nuk ndërtoi, zero.
e) Katër vjet më parë u zotua se do të përfundonte ndërtimi i unazave dhe by pass-ve, si: by pass-i i Tiranës, Unaza e Madhe e Tiranës, Unaza e Elbasanit, by pass-i i Rrogozhinës, by pass-i i Vlorës, Unaza e Durrësit, Unaza dhe by pass-i i Pogradecit. Në katër vite asnjëra nga këto rrugë nuk është ndërtuar dhe përfunduar qoftë dhe në një km të projektit të tyre.

Zero mirëmbajtje, zero rikonstruksion rrugësh

Katër vjet më parë Rama u zotua para shqiptarëve për rikonstruksionin e të gjithë akseve rrugore nacionale, të cilat për shkak të ndërtimit të rrugëve të reja, janë braktisur tërësisht, si: Shkodër-Pukë; Lezhë-Fushë Krujë; Tiranë-Vorë-Durrës; Tiranë-Ndroq-Plepa; Ersekë-Leskovik, Tepelenë-Këlcyrë-Përmet-Fier-Ballsh-Memaliaj në katër vite në këto akse nuk është rindërtuar as dhe një km rrugë, sepse nuk është investuar asnjë qindarkë. Po kështu katër vite më parë u deklaroi shqiptarëve se, mirëmbajtja e rrjetit rrugor është prioritet absolut! Këto ishin katër vitet e keqmbajtjes si kurrë më parë të rrugëve të vendit!

Porti imagjinar i Ramës në Shëngjin

Katër vjet më parë Rama u premtoi lezhjanëve ndërtimin e portit të ri të Shëngjinit.

Të parët në Europë për aksidentet rrugore

Katër vite më parë Rama premtoi zvogëlim deri në 50% të aksidenteve rrugore. Sot, pas katër vitesh, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për aksidentet rrugore.

Dështimi me rimbursimin falas

Katër vite më parë, në një seri takimesh me biznesin Rama, zotohej se do të bëjë rimbursim automatik të TVSH. Në këtë moment janë 60 milionë euro detyrim TVSH-je, një rimbursim 15% më i ulët se katër vite më parë.

Çdo sipërmarrës 20% ryshfet qeveritar për leje
Katër vite më parë Rama zotohej solemnisht se, do të përjashtohen nga tatim fitimi për tre vitet e para të aktivitetit, të gjithë sipërmarrësit që zbatojnë me korrektësi lejet koncesionare.
Sot, pas katër vitesh, jo që nuk ka përjashtuar asnjë, por çdo koncesionar serioz dhe më korrekti, është i detyruar që muajin e parë të paguajnë çdo qindarkë për tatim fitimin dhe 20% ryshfet qeveritar.

Asnjë qindrakë për fermerët

Katër vite më parë Rama u premtoi fermerëve shqiptarë rritjen dhe barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Sot pas katër vitesh, jo që nuk i barazoi, por nuk rriti asnjë qindarkë pensionet në fshat dhe as në qytet!

Braktisja e investimeve në fshat

Katër vite më parë Rama u zotua solemnisht për krijimin e 150 mijë vendeve të punës në fshat. Sot pas katër vitesh, duke ndërprerë tërësisht grantet për bujqësinë dhe investimet në infrastrukturën e fshatit, ai jo vetëm nuk ka krijuar, por ka shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune. Ka larguar qindra mijëra fshatarë nga Shqipëria.

U zhdukën grantet për bujqësinë

Katër vite më parë Rama premtoi pesëfishimin e fondeve për bujqësinë. Në të vërtetë ka ndërprerë të gjitha grantet për bujqësinë dhe sot fshati shqiptar është në gjendje të mjerueshme.

Fundosja e blegtorisë

Rama u premtoi blegtorëve shqiptarë politika mbështetëse të shkallëzuara për çdo krerë të mbarështuar dhe prodhimin foragjer. Në katër vite, jo që nuk i mbështeti me asnjë qindarkë, por me indiferencën kriminale lejoi që sëmundja e gjëndrave të zhdukte mijëra e mijëra krerë lopë të mbarështuara, sepse nuk solli vaksinën, ose e shpërndau me linja partiake apo solli vaksina të skaduara.

Sistemi i kanalizimeve i rrënuar

Katër vjet më parë, Edvin Kristaq Rama u zotua para fermerëve, se do të ndërtonte rrugët e ngastrave të prodhimit dhe do të çonte ujin në parcela, ndaj dhe për vaditje do të investonte në 4 vite 160 milionë dollarë. Sot, pas katër vitesh, pasi në 4 vite nga 160 milionë dollarë për vaditje ka investuar gjithsej 10 milionë dollarë nga një projekt, ka vjedhur 5 prej tyre. Sot pas katër vitesh sistemi i kanalizimeve është në ditën më të zezë, projektin që lamë gati me Bankën Botërore me 65 mln dollarë për variantin më modern të vaditjes, e shtyu për tri vite me radhë vetëm e vetëm që të vidhte me prokurimet e tij.

Rritja e shërbimeve për fermerët

Katër vjet më parë Rama i premtoi fermerit shqiptar heqjen e TVSH për plehrat kimike, farërat, fidanët dhe materialin gjenetik që përdoret në blegtori, heqjen e TVSH për vaksinat, ilaçet, si dhe çdo lëndë të parë që përdoret në bujqësi dhe blegtori. Sot pas katër vitesh ai nuk ka hequr asnjërën prej tyre dhe sot fermerët marrin më shtrenjtë se kurrë më parë këto shërbime.

Rritje me 260 lekë e taksës për qarkullimin

Katër vite më parë Rama u premtoi fermerëve shqiptarë heqjen e akcizës, taksës së qarkullimit për naftën, uljen e çmimit të naftës me 35% apo 50-55 lekë, kurse sot, pas katër vitesh, jo që nuk i ka ulur, por ka rritur me 270 lekë taksën e qarkullimit dhe fermeri e blen naftën të paktën 40% më shtrenjtë se sa fermeri gjerman, italian, etj.

Asnjë investim në infrastrukturën vendore

Katër vjet më parë Rama u zotua se do të dyfishojë investimet në infrastrukturën vendore. Cilido që ka parë investim përreth shtëpisë, lagjes dhe fshatit të tij të votojë Edi Ramën. Sot asnjë investim në infrastrukturën vendore nuk rezulton të jetë realizuar.

Blofi me premtimet ndaj peshkatarëve

Katër vjet më parë Rama ju betua peshkatarëve për heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit për peshkimin dhe pas katër vitesh sot peshkatarët ndodhen përballë mungesës së mbështetjes dhe vështirësive të mëdha.

Zero lehtësi fiskale për agropërpunuesit

Katër vite më parë Rama betohej se do të hiqte tatim fitimin në katër vitet e para për industritë e reja agropërpunuese dhe lehtësi fiskale në kostot e ambalazhimit dhe paketimit. Por sot pas katër vitesh, ashtu si çdo premtim tjetër edhe ky rezulton të jetë një tjetër mashtrim i madh.

Tallja me ish-të përndjekurit

Premtoi se të gjitha gratë e përndjekura politike që janë gjallë mbi 70 vjeç që vitin e parë të qeverisjes do të marrin të plotë dëmshpërblimin. Por sot, asnjë nga këto shtresa nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim. Tha se të gjithë ish-të burgosurit burra gjallë mbi 75 vjeç, do të dëmshpërblehen brenda 2 viteve të qeverisjes dhe të gjithë të burgosurit politikë, duke filluar nga viti i tretë do të bënte dëmshpërblimin e trashëgimtarëve. Por në katër vite asnjë nga këto premtime nuk u shndërrua në realitet.

Afera klienteliste me arsimin e të rinjve shqiptarë

Katër vite më parë u premtoi të rinjve shqiptarë punësim dhe sipërmarrje rinore me mbështetjen nga qeveria, madje dhe ligje të veçanta për të drejtat rinore. Pas katër vitesh ka larguar nga Shqipëria si të papunë dhe të pashpresë dhjetëra mijëra të rinj shqiptarë. Pas katër vitesh, mbylli dyert e universiteteve publike për së paku 18 mijë të rinj këtë vit, të cilët duhet të shkojnë në universitetet kliente të pushtetit, e ku duhet të paguajnë 4-8 mijë euro në vit përndryshe shkollë nuk marrin dot.

Braktisja e formimit profesional

Rama iu premtoi të rinjve shqiptarë 10-fishimin e financimit publik për formimin profesional. Sot, pas katër vitesh, arsimi profesional është rrudhur më shumë se kurrë. Jo vetëm që nuk është 2 apo 10-fishuar, por është ulur me 10% në raport me GDP krahasuar me katër vite më parë.

7 mijë punonjës fituan gjyqin, por nuk u kthyen në punë

Në emër të shtetit ligjor, Rama deklaroi se kush ka fituar gjyqin do të kthehej në punë. Sot pas katër vitesh ai vendosi në krye të departamentit kushërirën e tij dhe janë mbi 7 mijë punonjës të administratës, shërbimit civil, që kanë fituar gjyqin dhe nuk kthehen në punë.

Aferat me ligjin e lojërave të fatit

Katër vite më parë u deklaroi shqiptarëve se, argumentet e qeverisë Berisha për lotarinë kombëtare janë vetëdiskredituese! U tha se do t’i kthente publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë. Sot, pas katër vitesh, futi kthetrat e tij, futi njerëzit e vet aksionerë dhe nuk ia ktheu publikut, por familjarëve dhe rrethit të vet dhe përzuri austriakët nga lotaria kombëtare.

Asnjë qindarkë e investuar në korpuse

Para katër vitesh u deklaruat studentëve shqiptarë se do të konceptojmë një sistem të jetës universitare, si në Perëndim dhe do ta jetësojmë hap pas hapi, sipas fazave të një plani konkret. Në katër vite nuk ka investuar asnjë qindarkë për jetën universitare në korpuse apo kampuse të tij përveçse ka prerë ndonjë shirit të investimeve të qeverisë së mëparshme.

Zhvatja e pagave të mësuesve

Katër vite më parë premtoi se paga e një mësuesi do të taksohet 4.5%. Sot, vetëm me ngrirjen për tre vjet të rrogave i ka taksuar e i takson mësuesit të paktën me 13%.

Largimi masiv i investitorëve të huaj

Para katër vitesh premtoi shi investimesh nga investitorët e huaj dhe se ata do të gjenin këtu lirinë e konkurrencës dhe të gjitha kushtet. Sot Rama nuk është në gjendje të tregojë as dhe një investitor të vetëm serioz të ardhur këto katër vite. Investitorët nuk vijnë më.

Exit mobile version