Degradimi i shtetit/ Kompania 5D shpallte vet fituesit e tenderave të Bashkisë

Dosja e SPAK për aferën 5D zbulon një çudi të padëgjuar më parë në historinë e shtetit shqiptar. Ndonëse ishte e privilegjuar në procedurat e prokurimit dhe kishte akses në përpilimin e kritereve, kompania 5D nuk është ndalur aty, por ka arritur deri në pikën që të marrë edhe atributet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Bisedat e zbuluara në telefonat apo kompjuterat e punonjësve të kësaj kompanie faktojnë se skualifikimi i ofertave dhe shpallja e fituesve në disa tendera publikë, nuk janë bërë nga zyrtarët e shtetit, që ishin pjesë e Komisionit të Tenderave, por janë bërë nga vetë kompania 5D. Rasti klasik është ai i tenderit për “rikonstruksionin e sheshit të parkimit tek Selman Stermasi,” me vlerë 150 mijë euro.

Në këtë procedurë garuan disa kompani, të cilat u skualifikuan nga Manjola Bunguri, punonjëse e kompanisë 5D. Kjo e fundit, pasi bëri vlerësimin e ofertave dhe skualifikimet përkatëse shpalli fituese kompaninë 5D, që në atë kohë mbante emrin V.A.S Konstruksion së bashku me Rroku Guest.

Kapitali zbardh përgjimet e SPAK mbi këtë tender, nga bisedat e kryera mes administratorit të 5D Nestor Muhametllari, punonjës së kësaj kompanie Manjola Bunguri si dhe drejtoreshës së Tirana Parking, Eglantina Zëre.

Biseda e kryer mes shtetasve Nestor Muhametllari dhe Manjola Bunguri datë 23.09.2019:

Nestori: O Manjola, nga ajo lista që më dërgove ti nga Tirana Parking vetëm Ndregjoni dhe Turja kanë ngelur se të tjerët kishin ngatërruar ofertën. Këto duhen parë kur të kesh mundësi.
Manjola: Pa merak se i shikoj unë.

Biseda e datës 24.09.2019
Manjola: Nestor, Ndregjonit i gjeta plot mangësi. Se këtë kisha merak.
Nestori: Aaaaa shumë mirë. Shyqyr se atë kisha merak.

Biseda e datës 26.09.2019
Manjola: Nestor janë gati skualifikimet nesër në orën 9. Më vonoi pak Kevin Konstruksion se i kishte shumë të mira letrat, kurse Turja kishte plot mangësi.

Biseda e datës 28 shtator 2019
Nestori: O Manjola, taksirat e ke të shohësh pak edhe Shpresa.al se nuk po i japin dot drejtim.
Manjola: Ok pa merak.

Më pas, skualifikime që përpilonte punonjësja e kompanisë Manjola Bunguri, i përcilleshin drejtorëshës së Tirana Parking Eglantina Zëre dhe miratoheshin formalisht nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Kjo sipas SPAK është faktuar nga bisedat mes Nestor Muhametllarit dhe drejtoreshës së Tirana Parking Eglantina Zëre.

Biseda e kryer në 24 shtator 2019:
Eglantina:C’bën mo… Do e mbyllim apo doni dru
Nestori: Ja kam dhënë Mannjolës, deri nesër mbyllet.

Bisedë e datës 28 tetor 2019:
Eglantina: është hedhur njoftimi i fituesit lal. Besoj sot e shpall APP dhe ecim përpara.

Me publikimin e fituesit edhe në Agjencinë e Prokurimeve Publike, drejtoresha e Tirana Parking uron Nestor Muhametllarin për tenderin.

Eglantina: Ecim tani, ta gëzosh.
Nestori: Thank You, jeni të paparë.

Pas zbardhjes së ketyre bisedave prokurorët shkruajnë në dosjen e SPAK sa më poshtë:
“Rezulton se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të kompanive të tjera që kanë marrë pjesë në këtë tender nuk e kanë bërë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, por e ka bërë shtetasja Manjola Bunguri, e cila ka punuar punonjëse në shoqërinë 5D.”

manjola bungurja

Por ai i Tirana Parking ishte vetëm një rast. Një një tjetër tender të zhvilluar nga Klubi Sportiv Tirana për rikonstruksionin e palestrës së mungjes, drejtoresha e këtij institucioni Deborah Keçi, i ka dhënë Nestor Muhametllarit usernamet dhe fjalëkalimet e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

deborah

Biseda e kryer në 1 dhjetor 2020:
Nestori: Deborah duhet të më dërgosh urgjent kodet e 3 anëtarëve të KVO
Deborah: teuta.guri123456789, jetjon.mera123456789, reinaldo.glerazi123456789
Nestori: Më duhet dhe useri i atij që ka hedhur procedurën
Deborah: joana mullara sporti2020
Deborah: Do e bëni ju vlerësimin tani?
Nestori: Po po patjetër, nesër.

Edhe në këtë rast përmes fjalëkalimeve të anëtarëve të Komisionit të Ofertave, kompania 5D ka aksesuar sistemin elektronik të prokurimeve dhe ka bërë vlerësimet dhe skualifikimet e ofertave të kompanive të tjera duke shpallur veten fituese.

Artikulli paraprak“Ekstremizmi politik në Shqipëri, më shumë shqetësues sesa ai fetar”/ Studimi: Votimi për partinë në pushtet, i domosdoshëm për të mbajtur një vend pune në administratë
Artikulli tjetërArrestimet e SPAK në bashkinë e Tiranës, Kulluri: Heshtja e Veliajt si pranim i fajeve!