Degradimi që po prodhon paranoja e humbjes së pushtetit

Nga Red VARAKU 

Ka një përpjekje për ta shpjeguar sjelljen e degraduar dhe të papërgjegjshme të Ramës me pushtetin strikt nga pikëpamja politike, pra si produkt i disa rrethanave të arsyeshme politike.

Çka do të ishte krejt normale për një lider politik, sepse ajo që në fakt duhet te na interesoje tek një lider është pikërisht raporti dhe sjellja e tij politike, orientimi politik, përgjegjshmëria politike, toleranca politike, vendimet politike, etj.

Por, kjo qasje nuk vlen për të analizuar Ramën, sepse ajo që ne konsiderojmë sjellje politike të tij, në fakt është thjesht raporti i degraduar mendor dhe psikologjik i këtij njeriu me pushtetin.

Ndaj me shumë se sa tek rrethanat politike, çelësi i zberthimit të arsyeve të sjelljes se tij të paqëndrueshme njerëzisht dhe politikisht duhet kërkuar vetëm tek ç’rregullimi i rëndë personalitetit të këtij njeriu, tek degradimi evident emocional dhe tendencat e tij të rënda sociopate.

Ky çrregullim i rrezikshëm nuk kërkon ekpertizë për tu argumentuar, sepse e kemi parë të gjithë. E pamë të shpërfaqej dhunshëm tek përgjimet e BILD, e provuam pamëshirshëm tek menaxhimi skandaloz i pasojave që la tërmeti , po e ndjejmë mbi kurriz çdo ditë me menaxhimin shkatërrues dhe të papërgjegjshëm të pandemisë dhe po e shohim brutalisht me paqëndrueshmërinë e tij psikologjike, pikërisht në momentet më të vështira për vendin.

Kjo për shkak se edhe ai vetë e ka kuptuar që po shkon drejt fundit dhe paranoja nga humbja e pushtetit në vend që ta kthjellojë, e ka bërë që të shkëputet edhe më shumë nga realiteti.

Në fakt ishte e parashikueshme që ai të bëhej më agresiv kundër‘armiqve’ dhe të izolohej edhe më shumë nga realiteti, por askush nuk e kishte parashikuar që ky njeri do të degjenerojë tërësisht dhe do investohej kaq paturpësisht që t’i vjedhë zgjedhjet sërish siç po bën fjala vjen qoftë me ndryshimet e njëanshme kushtetuese, qoftë me angazhimin e strukturave kriminale për shantazhimin e zgjedhësve.

Kjo sepse raporti i tij me pushtetin është toksik. Është pikërisht paranoja nga humbja e tij që arsyeja që ai e ka kthyer PS në një sekt personal, që preokupim kryesor ka mirëqënien shpirtërore të liderit.

Ai e ka kthyer atë në një instrument vetëm në shërbim të interesave të tij personale dhe për këtë mjafton të shikojmë se si askush nuk reagon kundër tij, por e llastojnë paturpësisht me lëvdata mediokre edhe kur dështimi është ulëritës.

Rasti i mungesës së një reagimi për përgjimet skandaloze ku parakalonte e gjithë elita e PS, rasti i mungesës së një reagimi për dështimin me tërmetin, ku ka ende shumë qytetarë të mbetur nëpër çadra ndërkohë që janë dhënë miliarda nga BE për ta dhe fakti që nuk kemi asnjë reagim për katastrofën, që ky njeri po shkakton për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë është një provë që PS jo vetëm nuk e ka fuqinë ta ndalë më këtë njeri, por është kthyer në një kamzhik në dorën e këtij njeriu kundër qytetarëve të këtij vendi.

Është pra pikërisht ky raport toksik që ky njeri ka me pushtetin që e ka kthyer atë në njeri të rrezikshëm sot, sepse kjo ‘sëmundje’ ia bën të pamundur të kuptojë dhe të përballet me faktet kokëfortë të dështimit të tij me të cilat po përballet çdo ditë.

E vetmja shpresë për qytetarët mbetet fakti që pas dy muash kemi zgjedhje.

Lajmi i keq është fakti që institucionet tona dështuan për ta bllokuar instiktin e këtij njeriu për të instaluar një autokraci të re, por lajm i mirë është fakti që shqiptarët kanë ende miq të vërtetë në botë, të cilët ia duan të mirën dhe nuk mund ta lejojnë një tjetër eksperiment të rrezikshëm dhe këtë e dëshmon presioni i shtuar mbi qeverinë shqiptare përmes bllokimit të integrimit.

Sigurisht, tani i takon atyre ta formalizojnë aktin e largimit të tij në 25 prill. Kjo jo vetëm si nevojë për ndryshim, por edhe për t’i kujtuar kujtdo që fuqinë për ndryshim nuk e ka askush në dorë , përveç vetë qytetarëve.

Ndaj, për asnjë çast nuk duhet neglizhuar kurrë përgjegjësia që kemi për të përzgjedhur ata që do na qeverisin, sepse mjafton të hedhim sytë përreth për të kuptuar rëndësinë e vendimeve tona të pamatura.

Pas 25 prillit do të fillojë një kapitull i ri për shqiptarët. Sigurisht qeveria që do vijë do ketë rolin e saj në mënyrën se si do përparojë Shqipëria, por në asnjë rast nuk duhet të harrojmë që fuqinë dhe rolin kryesor për këtë e kemi në dorë vetëm ne.

Artikulli paraprakTjetër denocim për spitalet Covid: E sollën nga Tirana dhe e kanë lënë pa aparatura, me vdekë!
Artikulli tjetër“Qeveria mendon për xhepin e vet, jo për të na punësuar ne”, Vokshi me banorët në Laprakë: Ka ardhur koha të ndryshojmë njëherë e mirë!