Degradon “Vettingu”, qeveria merr kontrollin mbi drejtësinë

Partia Demokratike vendosi ta ankimojë Ligjin e “Vetting”-ut në Gjykatën Kushtetuese. Opozita e sheh këtë institucion si mundësinë e fundit për të rrëzuar një ligj, që sipas Partisë Demokratike i jep qeverisë kontrollin politik mbi organet që do të vendosin për pastërtinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Megjithëse opozita thotë se shkeljet kushtetuese janë flagrante, Oerd Bylykbashi nuk e sheh si një çështje të thjeshtë, sepse i druhet ndërhyrjes së qeverisë tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Një arsye, sipas tij, përse Komisioni i Venecias është një zgjidhje për Gjykatën Kushtetuese.
“Ligji i ‘Vetting’-ut është një ligj që ka probleme thelbësore me Kushtetutën. Sigurisht që ne kemi studiuar të gjitha aspektet, me të cilat ky ligj mund të përballet në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të mendimit që nuk e kalon testin e kushtetutshmërisë. Ajo që është më e pritshmja është që Kryeministri Rama, i cili ka futur në darën e ‘Vetting’-ut edhe Gjykatën Kushtetuese, do të ushtrojë presionin maksimal, që edhe Kushtetuesja në çdo rast të jetë nën presion të jashtëzakonshëm, në mënyrë që të mos e kthejë ligjin e ‘Vetting’-ut. Ashtu siç është ai ligj, është një instrument i ndryshëm nga ajo që kemi rënë dakord në Kushtetutë dhe qëllimin e ka vetëm që të kapë gjyqësorin. Sigurisht që ligjin e ‘Vetting’-ut nuk e ka parë as Komisioni i Venecias, këtë version që është miratuar dhe siç ka bërë edhe në të shkuarën, Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë edhe opinion të ‘Venecias’. Ka disa raste, më i fundit është ligji i pronave, kur është kërkuar opinion prej komisionit në lidhje me ligjin. Procesi është kompleks përpara. Më e rëndësishmja është që, nëse mbetet kështu, ‘Vetting’-u do të jetë një proces i degjeneruar dhe një kapje politike”, deklaroi Oerd Bylykbashi.
Mazhoranca përfundoi e vetme miratimin e ligjit për organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Partia Demokratike nuk u kthye në komision pas largimit të hënën, me arsyetimin se me formulimet e reja në ligj, mazhoranca zhbëri konsensusin për ndryshimet kushtetuese dhe iu rikthye qëllimit të kapjes politike të Këshillave të Lartë në gjyqësor dhe Prokurori.

Exit mobile version