Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi ka deklaruar në një intervistë dhënë sot për gazetën “Koha Jonë”, thotë se “ngulmimi i Ramës për të bërë zgjedhje me domosdo në 30 qershor është një verbëri politike drejt një harakiri të pashmangshëm. Boçi tha se, Letrat e Ramës drejtuar Bashës, i ngjajnë ditarëve të njerëzve në gjendje të rënduar psikike e nuk mund të merren në konsideratë.
Opozita proteston, kurse maxhoranca ka nisur fushatën elektorale, për të cilën kryeministri Rama thotë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, madje ka kërcënuar me burg kush i pengon. Përveç protestës së 2 qershorit, si do të veprojë PD-ja më 3 qershor, çadra përballë Kryeministrisë?
Pavarësisht se duket që palët janë tendosur në llogoret e tyre, zhvillimet politike nuk mungojnë. Para Ramës është një ultimatum kohor që skadon në datën 1 qershor, pas së cilit pritet që aksioni ynë opozitar të njohë përshkallëzime të reja, nëse nuk ka refleksion. Jo vetëm kaq. Faktori ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po kërkon një zgjidhje nën të njëjtat terma që përdor opozita. Ndërkohë që zhvillimet europiane me konfigurimet e reja qartazi tentojnë të zbehin çdo përkrahje subjektive të tij. Rama pothuaj të gjithë faktorët i ka tashmë kundër dhe më mirë se kërcënimet me burg, do ishte të pranonte largimin e tij, qeverinë tranzitore e zgjedhjet e parakohshme politike, sikurse shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Vetëm kështu ai mund t’i lejë një shteg hapur karrierës së vet, e cila duket së është fikur me shpejtësi marramendëse dhe vetëm kështu mund të kalojë ditë të qeta në Surrel. Përndryshe zemërimi popullor nuk ka për ti kursyer atij as karrierën e as qetësinë personale.
Ngulmimi i tij për të bërë zgjedhje me domosdo në 30 qershor është një verbëri politike drejt një harakiri të pashmangshëm. Protesta e datës 2 qershor do të qartësojë shumë enigma të së ardhmes politike të situatës si dhe do jetë preludi i një beteje për jetë a vdekje, për demokraci ose vdekje, duke cituar dhe liderin e PD z. Basha. Në këtë pikë nuk ka iluzione dhe nuk ka tërheqje pas. Hijet e çadrave janë tejkaluar tashmë bashkë me kushtin e largimit të Ramës dhe ne nuk do të qëndrojmë nën to të kundrojmë se si vjedhësi serial i votave të përdhosë, të blejë, të përqeshë votën, demokracinë e shqiptarët.
Në letrën e gjashtë për Bashën, Rama thotë se kjo është java e fundit për dialog. Në kushtet kur sistemi i Drejtësisë ka rënë, duhet PD-ja që të ulet për ti dhënë zgjidhje krizës dhe jeta politike ti rikthehet normalitetit?
PD dhe opozita janë në rrugë proteste për të kërkuar uljen në tavolinë për zgjidhjen e krizës, për rikthimin e drejtësisë, për dhënien fund të një shteti politik që përdor segmentet e tij për ruajtjen e pushtetit politik të një kaste, për çlirimin e zgjedhjeve, ekonomisë e politikës nga krimi. Dialogu ka qenë e mbetet qëllimi ynë. Dialog i cili ka natyrë institucionale, brenda të cilit janë të përjashtuar hajdutët, blerësit e grabitësit e votave. Dialog pa kryehajdutin, por dialog me faktorët politikë që e duan këtë vend dhe punojnë për prosperitetin e tij e të demokracinë e tij.
Letrat e Ramës i ngjajnë ditarëve të njerëzve në gjendje të rënduar psikike e nuk mund të merren në konsideratë. Për sa i takon afateve jemi ne që në datën 25 i kemi dhënë 6 ditë kohë reflektim për t’u larguar dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike që sot e kërkojnë të gjithë faktorët e brendshëm e të jashtëm. Nuk është delinkuenti ai që mund të përcaktojë kohën apo modalitetin e komunikimit.
Fakti ndërkombëtar është i ndarë për situatën politike në vend. Përtej përkrahjes ndaj opozitës ose qeverisë, kjo krizë a po e thellon më tej largimin e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE-në?
Faktori ndërkombëtar nuk është i përçarë por është duke lëvizur në unison të plotë drejt mirëkuptimit dhe mbështetjes së kërkesave që sot opozita shqiptare ka parashtruar. Sido të interpretohet ky këndvështrim qëndrimi ndaj situatës aspak ose fare pak ndikon në formësimin e qëndrimit ndaj synimit të vendit tonë për çeljen e negociatave.
Çelja e negociatave nuk është pasojë e simpative apo e antipative ndaj faktorëve politikë në Shqipëri të vendeve të ndryshme të BE apo misioneve të tyre diplomatike. BE është një portë e cila kapërcehet jo me gjuhë e emocione dashurore apo urrejtje, por portë që kapërcehet me arsye shtetërore, progres ekonomik e respekt standardesh. Merita për hapjen e tyre buron nga meritat dhe plotësimi i rekomandimeve e kushteve të vëna. Kur nuk ka progres përkundrazi përkeqësim në luftën ndaj korrupsionit, kur krimi bën kërdinë e drejton sot jetën politike e ekonomike të vendit, kur droga, trafikimi, kriminaliteti janë sheshit, është shumë e vështirë të bëhesh pjesë e kësaj familje të ëndërruar. Për më tepër kur kërkon të bësh zgjedhje pa opozitën, jashtë çdo parametri demokratik të sanksionuar në dokumentet themelore të BE, duket utopi të bëhesh pjesë e saj.
Si e vlerësoni qëndrimin e Presidentit Ilir Meta se është gati të rishikojë datën për zgjedhjet lokale? Duhet që Kreu i Shtetit të shpërndajë parlamentin?
Presidenti në qëndrimet e tij suksesive të disata është në funksion të rolit dhe detyrës që i ka ngarkuar parlamenti e që ia njeh kushtetuta. Gatishmëria për rishikimin e datës është një gjest dialogu që ai kërkon t’ia imponojë palëve “nën luftë” dhe njihet si e drejtë kushtetuese e tij. Kjo është njëkohësisht shenjë e përgjegjshmërisë së tij të dëshmuar prej muajsh, në shumë reagime e dekrete. Si e tillë e gjykoj të mirëpritur por që duhet kompozuar në harmoni me të gjitha kërkesat e tjera të opozitës që insistojnë largimin e Ramës e krijimin e një qeverie kalimtare. Çështja e parlamentit është akoma më e thjeshtë. Parlamenti në bazë të përcaktimeve kushtetuese është legjitimi vetëm kur është në numrin e plotë të vendeve të tij që janë 140. Ai nuk mund të qëndrojë në këmbë as me 139 deputetë e as me 123. Përndryshe ai duhet të shpërndahet pasi vullneti i sovranit është i cunguar për shkak të mungesës së përfaqësuesve të tij. Më pas duhet të shpallen zgjedhjet e reja që do të realizonin përputhjen midis vokacionit të qytetarëve për të pasur përfaqësues e drejtim qeverisës dhe institucioneve që e realizojnë një gjë të tillë. Kushtetuta në rrethana të tilla, ia njeh Presidentit si obligim marrjen e një iniciative të tillë, të shpërndarjes së Parlamentit dhe unë jam i bindur që Presidenti do ta realizojë atë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse Maqedonia merr negociatat dhe Shqipëria jo, atëherë ky është faji i opozitës. A ka përgjegjësi opozita për negociatat?
Opozita ka qenë në funksionin e vazhdueshëm lobues, me qëllim që Shqipërisë t’i hapen negociatat, por korrupsioni qeveritar, krimi i organizuar me rrënjë në ekzekutiv e parlament, droga dhe trafikimi i bëjnë shumë vende anëtare skeptike dhe i detyrojnë ata të mos japin votën pro. Në lidhje me deklaratën e Ramës mund të shtoj se në këtë rast Kryehajduti i votave, tutori i krimit dhe ekzekutori i demokracisë, kërkon të marrë pozën e viktimës, por populli ka një përgjigje dhe për këtë, me një batutë kthimi: “Ai që vodhi lopën nuk ka faj?”.