Ish-Kryeministri Berisha ka bërë deklaratën e fortë në Zonë e Lirë se në rast se do të ishte sot Kryeministër i vendit, Shqipëria do të ishte anëtare e BE. Berisha tha se ai kishte premtuar anëtarësimin e NATO dhe e kishte realizuar.
Kishte premtuar heqjen e vizave e kishte mbajtur këtë premtim. “Nëse sot do të isha Kryeministër, vendi do të ishte anëtar i BE”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha deklaroi se nëse ai do të ishte në pozitat e kreut të qeverisë dhe do të merrte një ndëshim si ai i Ramës nga vendet anëtare të BE me refuzimin për hapjen e negociatave, Berisha tha se nuk do të kishte qëndruar asnjë moment në krye të qeverisë.
Berisha ka bërë edhe deklaratën tjetër mjaft të fortë duke deklaruar se grupet e narkotrafikut po groposin eurot sepse nuk mund ti fusin në qarkullim. “Po presin ligjin për grabitjen e pronave që është miratuar për të marrë toka në bregdet për ti nxjerrë këto para që po I groposin”, tha Berisha.
Ndjehem fizikisht e psikologjikisht si 20 vite më parë
Berisha ka rrëfyer se ai ndihet fizikisht e psikologjikisht si 20 vite më parë dhe ka zbuluar sekretin për këtë.
“Unë mund të ndihem në të njëjtat parametra fizikë e psikologjikë të 20 viteve më parë. Kam një sekret, sekreti im është kalitja. Gjithë jetën i kam besuar stërvitjes.
Në tërësi, nuk jam njeri abuziv, por kalitja është sekreti sot. Kam shumë arsye për të festuar në këtë 75 vjetor, nuk marrë ashensor për katin e katërt ku banoj. Respektoj shkallët”, ka thënë Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se PD nuk është sot në gjumë edhe pse e dëgjon një perceptim të tillë. Ishte gazetari i Zonë e Lirë Arian Çani që e pyeti ish-kryeministrin për zhvillimet e fundit politike.
“PD nuk është në gjumë. Djegia e mandatave ishte një vendim kolegjial. Nuk më vjen keq për vendimet që merr PD. Unë do të jem aty derisa të jetë edhe anëtari i fundit ndaj nuk mund të më vijë keq për vendimet e PD.
Ka një opozitë të fuqishme që është mazhorancë sot te shqiptarët. Me zhvillimet e fundit Rama është një monstër e vërtetë kombëtare me të këqijat që i ka bërë Shqipërisë.
Nuk e zë dot vendin e opozitarit Piktori. Ai do të zërë vendin në koshin e plehrave të historisë. Lajmi më i trishtuar i karrierës sime politike mos-hapja e negociatave, por jam më i zemëruar me shkaktarin që është Edvin Mafija.
Ky i quajtur mini-shengen para të paktën 11 vitesh 4 vende të Ballkanit hoqën pasaportat në qarkullim dhe vendosën të qarkullojnë me karta identiteti ndërsa marrëveshja CEFTA ka një shtrirje më të gjerë. Ky mini-shengen ka si synim vetëm përjashtimin e Kosovës”, tha Berisha.
Berisha i përveshet “Miladinit” të Kosovës
Ish-Kryeministri Berisha i është përveshur atij që ai e quan si Miladini i Kosovës duke ju adresuar Hashim Thaçit, por edhe Ramës dhe Baton Haxhiut. “Kjo është trojka më famëzezë në historinë e Kosovës” që ju turrën trojeve të tyre për ti copëtuar”, tha Berisha.
“A është bërë pishman Sali Berisha për sulmet ndaj Baton Haxhiut?”
I ftuar në Zonë e Lirë, ish kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj gazetarit Baton Haxhiu duke e etiketuar si shef i Miladinit.
Ai shtoi se gjatë kohës që ai ishte në pushtet, askush nuk guxoi të hidhte tezën e ndryshimit të kufijve të Kosovës.
“Është problemi i atyre që morën përsipër të quajnë luftë civile, luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Atyre që morën përsipër të nxjerrin dogmën se çdo marrëveshje është më e mirë se pa gjë.
Këta dilnin dhe përhapnin nëpër Shqipëri dhe Kosovë idenë e super kapitullimit sipas të cilës, çdo marrëveshje është më e mirë se pa marrëveshje. Nuk thotë as Batoni që s’ka qenë agjent, por që Batoni është një eksponent, shefi i Miladinit.
Ata për një vit e gjysmë bombarduan popullin e Kosovës, e shndërruan si në kohën e Millosheviçit. Sa isha në pushtet, nuk guxuan të nxjerrin tezën e ndryshimit të kufijve, e shkëmbimit të territoreve.
S’mund të them që e kishin nga unë, por fakti që sa ika unë nga pushteti, u bënë bashkë me Ramën… Mashtruan gjithë botën se Kosova ishte dakord. Askush në Kosovë përveç dy personave nuk ishte dakord”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Ish-kryeministri mohoi akuzat sipas të cilave, Baton Haxhiu ka drejtuar një pçrej fushatave të Partisë Demokratike, kur në krye të saj ishte pikërisht ai.
Berisha ka folur edhe për marrëdhënien që ka me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
“Unë mendoj se në skedën politike shqiptare Albin Kurti është një politikan me një fibër të fortë politike. Po të përdorim një shprehje të huaj, është “kafshë politike”, njeri me instinkte dhe këtë e ka faktuar.
Ka dallime mes tij dhe Tsipras, i pari është rritur në krahët e një miliarderi, ndërsa Kurti jo.
A do ketë të tjerë me karrierën e tij të gjatë politike, varet, mundet.
Nuk kam asnjë marrëveshje, kemi pasur mendime të njëjta ndaj një problemi, ndaj një akti të paimagjinueshëm, të ndryshimit e copëtimit të kufijve të Kosovës. Ky ishte takimi i parë personal me Albinin. Unë jam për Kosovën e fortë, unë besoj që Albini do të japë kontributin e tij të plotë”, tha Berisha.
Ai shprehet se ka pasur simpati për projektin e Vetëvendosjes.
“Më vjen shumë mirë rishqyrtimi që Albin Kurti i ka bërë projektit. Ai pati kurajo të mbrojë ëndrrën e bashkimit kombëtar si pjesë e planit. Projekti që ai paraqit nuk ka ideal më fisnik, më sublim, se ideali i bashkimit kombëtar.
Ky është një proces dinamik në ecurinë e tij, që kërkon rrethana siç deshën ta bëjnë duke ndarë Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë. Me atë nuk isha kurrë”, tha Berisha.