Presidenti Ilir Meta, ka komentuar nga studio e emisionit “Përballë “ edhe krizën politike që ka mbërthyer vendin.
Për Metën nuk ka dyshime që kriza buron nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008
“Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme e burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para 2 viteve. Kriza aktuale kushtetuese dhe e thellë. Nuk është një zhvillim i ri në Shqipëri mungesa e dialogut midis mazhorancës dhe opozitës.
Mungesa e gjykatës kushtetuese funksionale dhe paraliza në tërësi e sistemit gjyqësor do të shohim se kriza është më e thellë, fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
Aty mund të gjejmë rrënjët e kësaj krize në tërësinë e saj që është ashpërsuar në këto dy vite dhe sidomos në dy muajt e fundit pas këtij akti të opozitës. Ka pasur një nxitim nga të dyja palët për të përshkallëzuar krizën.” tha Meta.
Ndërkohë Presidenti Meta ka goditur edhe drejtimin autoritar që Rama po i bën vendit, ku sipas tij: ‘Nga një demokraci parlamentare kemi kaluar në një liderizëm arbitrar’
‘Kemi bërë hapa prapa sa i takon demokracisë parlamentare dhe kemi bërë hapa para drejt një liderizmi arbitrar. Pa ndryshuar sistemin zgjedhor është e vështirë të ndryshosh liderët. Mos harrojmë që jemi një vend që kemi një trashëgimi autoritare dhe për shkak të këtij graviteti çdo hapësirë që mund t’i lihet liderit e çon atë drejt autoritarizmit.
Kjo gjendje duhet të marrë fund. Jemi në kohë për të mos shkuar drejt një konfrontimi që do të ishte i pafalshëm për të gjithë. Nuk duhet të rrezikojmë arritjet e vendit nga viti 1997 dhe në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në një normalitet kushtetues”, tha më tej Meta.