Deklarata e fortë e shkrimtarit: Kryeministri i Shqipërisë me prirje të diktatorit, zgjedhjet njëpartiake i mbron me…

Kim MEHMETI

Nuk janë të pakuptimta, përbuzëse dhe çmendurake vetëm thëniet e Kryeministrit të Shqipërisë se vendi shkon përpara duke u kthyer në shtet njëpartiak, por edhe ato të ‘intelektualëve të pavarur’ që pohojnë se nuk e përkrahin qeverinë e sotme pse ajo është më e mirë se e mëparshmja, por pse ‘ata’ të opozitës e mbollën farën e bimës së keqe dhe janë edhe më të këqij se ‘Rilindja’!? Me çka pohojnë diçka që u ka hije debatuesve nëpër kafenetë e fshatit, por jo edhe atyre që pretendojnë ta ngrenë më lartë vetëdijen e votuesve: se nuk është demokraci kur e zgjedhë të mirën më të madhe, por të keqen më të vogël?! Dhe e promovojnë mendësinë politike se hajduti i partisë tënde, që i vjedh të tjerët, por të jep edhe ty, është më i mirë se ai i partisë kundërshtare, që e punëson të vetin, e të lë ty pa punë.

Është e pritshme që Kryeministri i Shqipërisë, me prirje të diktatorit, zgjedhjet njëpartiake t’i mbrojë me qëndrimin se ‘djegia’ e mandateve është e pandodhur, që mund ta dëmtojë rëndë demokracinë mbarëbotërore, por është e dhimbshme kur e sheh se edhe disa ‘opinionistë’ mendjendritur nuk e vërejnë se opozita i dogji mandatet, por ‘Rilindja’ është duke e ‘djegur’ Shqipërinë. Çka tregon se jo vetëm shumica e votuesve të rëndomtë, por edhe njerëz me nam e nishan, e mësuan si mbrohet pushteti dhe i pushtetshmi, por jo edhe shteti dhe shqiptaria. Pra e kuptuan se je më i mbrojtur, më i sigurt, e më i pëlqyer, kur mbanë anën e të pushtetshmin dhe kur ke mik të fortin, të pasurin e të famshmin, por duke harruar se, miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit personal, është pasqyrë ku shihet dobësia e individit dhe se, kanë qenë, e do mbeten të fortë e të njerëzishëm, vetëm ata që e mbrojnë, e ndihmojnë dhe janë në anën e të dobëtit, të dëmtuarit dhe skamnorit.

Nga një Kryeministër si ky i Shqipërisë së sotme, është e natyrshme të presësh të lëvdohet edhe me dukuri të turpshme për gjithë shqiptarinë, siç ishin votimet njëpartiake të 30 qershorit. Por është e pabesueshme verbëria e alamet ‘intelektualëve jopartiak’, verbëri që nuk u lejon atyre të shohin se njësoj si Envreri dikur, edhe Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, e forcon “Rilindjen” e vet duke shkatërruar vendin. Dhe e promovon mendësinë e vet, të cilën siç duket e ka trashëgimi gjenetike’, se s’ka ç’të duhet Shqipëria e fortë, me një parti të dobët! Me çka edhe e bëri vendin shtet ku ke protestues që e mbrojnë dhe vdesin për partinë, por jo edhe për Shqipërinë!

Dhe është e kuptueshme që një piktor i bërë politikan, të besojë se brekushet e tij dhe daljet cullak nëpër plazhe, janë vlera tradicionale shqiptare, me të cilat duhet të mburremi para botës, por është e neveritshme se si edhe njerëz të dijes, të dalin të thonë vetëm atë që duan ta dëgjojnë perëndimorët, por jo edhe atë që duhet treguar shqiptarëve. Me çka e ndihmuan piktorin që ta bëjë Shqipërinë vend me drejtësi të reformuar, por pa gjykata dhe që të gjithë kundërshtarët e vet politik t’i shpallë si dashamirës të shtetit me gjykata, por pa drejtësi. Dhe e ndau popullin në ‘ne’ opozitarët perëndimorë që duam drejtësi pa shtet, dhe ‘haxhiqamilët ’ opozitarë që duan shtet pa drejtësi. Pra duke e ‘deshqiptarizuar’ shqiptarinë dhe duke e bërë Shqipërinë mëmë nga djep i patriotizmi shqiptarë, në vendbanim të turpit kombëtarë.

Po pra, është e vërtetë se gjatë tri dekadave të kaluara, shumë politikanë e burrështetas që e drejtuan Shqipërinë, u bënë hajdutë dhe është e pritshme që këtë të vërtetë, piktori Kryeministër ta përdor si jorgan për ta mbuluar vetveten si njeri të pushtetshëm më shumë se dy dekada me radhë. Por është trishtuese heshtja e alamet personaliteteve me emër e mbiemër, të përfshirë edhe nëpër enciklopeditë shqiptare, të cilët u shtirën që nuk e shohin se gjatë sundimit të ‘Rilindjes’ ndodhi diçka edhe më tragjike: shumë hajdutë e kriminelë, u bënë politikanë dhe morën në duar vendin. Me çka Shqipërisë thuajse iu pamundësua që pa një ‘revolucion’ të dhembshëm, t’i shlyejë nga ‘biografia’ e saj emrat e politikanëve që i janë ngjitur si shushunja, që asaj ia thithin gjakun e freskët rinorë, e popullit ardhmërinë.

Po, është e pritshme që një diktator qesharak si Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, ta përdorë gjithë aftësinë e tij folëse dhe atë pakë imagjinatë krijuese që ka, për ta fshehur të vërtetën se më shumë e do pushtetin se sa shtetin e popullin e vet, si dhe për ta mbuluar atë që shihet qartë: se di ta sundojë vendin, por jo edhe vetveten. Por është shumë e panatyrshme që këtë të mos e kenë vërejtur ata që duhej të parët të alarmonin se Shqipëria është duke shkuar rrugës të ketë pushtet, por jo edhe shtet dhe ku, sa më e fortë bëhet ‘Rilindja’, sa më të pasur bëhen ‘rilindësit’, aq më i dobët bëhet shtet dhe aq më shumë varfërohet populli.

Andaj edhe mund te thuhet se Kryeministri që e pikturoi Shqipërinë njëpartiake, nuk është fajtori i vetëm pse shteti zhbëhet e ‘Rilindja’ forcohet, por mëkatarë janë edhe ata që këtë e dinin dhe kishin mundësi ta thoshin, por shkaku i interesit personal heshtën dhe, popullit kurrë nuk i treguan se burrështetasit e tij hajdut bërtisnin – kapeni hajnin dhe se, jeton në një shtet ku politikanëve kriminelë u falet krimi, e mëkatarët hallexhinj e të papushtetshëm, i mbushnin burgjet.

Artikulli paraprakAvokati i Popullit: Të hetohet policia për dhunën ndaj protestuesve në Dibër
Artikulli tjetërEdvin Mafia, para se t’i lypësh takim nëpërmjet Vuçiçit, kërkoji publikisht falje presidentit Makron!