Studentët janë të qartë dhe të prerë: Nuk ka dialog me qeevrinë, të zgjidhen 8 kërkesat. Ndërkohë ata e kanë ashpërsuar revoltën e tyre edhe ndaj deputetëve në Parlament. Një prej studentëve që gjendet sot në protestë duke folur për gazetaren e Fax Neës Mirilda Tili, tha se deputetët e Kuvendit nuk do të lejohen që të dalin nga salla, pa u pranuar tetë kërkesat e tyre që tashmë janë mëse të qarta.
“Të gjejnë rrugë nëntokësore, se ndryshe nuk dalin dot nga aty”, ishte deklarata e fortë e bërë nga studenti.
Ashtu si më parë, studentët janë shprehur të vendosur se nuk ka dialog pa plotësuar kërkesat e tyre dhe për këtë janë të prerë deri në fund.
“Nuk ka dialog dhe nuk ka negociata, ne jemi të qartë dhe të prerë, duhet të plotësohen kërkesat tona”, u shpreh njëra nga studentet për ‘Fax News’ që u pasua me brohoritje të të tjerëve.
Nga ana tjetër kreu i qeverisë ka këmbëngulur dhe sot se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen e studentëve, dhe se ai është i gatshëm që ti presë ata që sot në sallën e Kuvendit.