Analisti Artur Zheji, i pranishëm në studion e “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, u shpreh se ka informacione se ka sekser të niveleve shumë të larta që vijnë nga oligarkia financiare shqiptare për të krijuar një front PS-Rithemelim-PL kundër SPAK-ut.
“…Në nivele të caktuara të politikanëve të mazhorancës të rrezikuar në poste apo jashtë posteve ka një përgjigje në suspancë…Nuk po them pozitive, sepse nuk dua të ekzagjeroj, sepse pastaj bëhem si ndonjë gazetar që s’është gazetar, por bëhet parashikues sikur hedh fall. Pra, ka njerëz që po endin një pëlhurë për të krijuar një aleancë të mirëfilltë për të kufizuar SPAK-un.”– u shpreh gazetari Artur Zheji.
Kjo deklaratë e Zhejit është shumë e rëndë dhe vjen në një kohë që SPAK po godet nga të gjitha anët e politikës. Nëse kjo do të realizohet, do të ishte një ngjarje e rëndë dhe një lajm i keq për shqiptarët.
Ajo që duket është sulmi i koordinuar i Metës dhe i Berishës i përditshëm dhe i Ramës më i kamufluar dhe i fshehtë, por që sigurisht edhe ai i herëpashershëm.