Sali Berisha, akuzohet sot nga SPAK për korrupsion pasiv duke favorizuar me aktet, vendimet dhe influencat si kryeministër i Shqipërisë, tjetërsimin e pronës shtetërore “Klubi sportiv Partizani” në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, (bashkort i vajzës), aferë e cila “prodhoj” më pas një pasuri të madhe, një pjesë e së cilës është vendosur në sekuestro preventive.
Që nga dita e shtunë kur u bënë të ditur masat e Gjykatës së Posaçme ndaj tij dhe dhëndrit, Berisha ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj drejtësisë së re, prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke përdorur edhe eksponentë të lëvizjes së tij, “Rithemelimi”, të cilët në mënyrë ekstraligjore, flasin në emër të PD dhe opozitës.
Veprimtaria e Sali Berishës si shef qeverie, korrupsionit të tij pasiv në favor të pasurimit të familjarëve të tij dhe përpjekja për të goditur, shantazhuar dhe kërcënuar drejtësinë që po vepron ndaj tij, ishin paralajmëruar më shumë se dy vite më parë nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kur shpalli botërish motivacionin për vendosjen Non Grata të Sali Berishës.
Si një përsëritës recitiv i pakorigjueshëm, Sali Berisha po vërteton sot 100% fjalët e shkruara nga Blinken në emër të SHBA. Lexojeni më poshtë deklaratën e plotë të tij dhe do të “habiteni”, se si çdo argument i akuzës së parë të SPAK për korrupsionin e Berishës si ish-kryeministër dhe ajo që po bën aktualisht për të penguar drejtësinë që të veprojë ndaj tij, dalin pas kaq kohësh të sakta.
Gjithashtu me përdorimin e emrit të PD dhe duke folur në emër të opozitës për të ndryshuar fatin penal të tij, familjarëve dhe pasurive maramendëse që kanë vënë, Sali Berisha po vërteton 100% edhe akuzën tjetër të rëndë nga SHBA si minues e demokracisë shqiptare.
Deklarata e plotë e Sekretarit të Shtetit Blinken për shpalljen e Sali Berishës Non Grata
Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës.
Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.
Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht. 100% “akuzat e Sekretarit të Shtetit Blinken!