Ndërkohë që vendi është përfshirë nga një valë e paprecedentë e krimit në ditë e para të vitit të ri, me pasojë shumë vrasje mafioze, krim në familje dhe aksidente të shumta me të vdekur, ajo që revoltuar opinionin ishte edhe mungesa e një prononcimi për këtë situatë, nga ana e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ministri, i cili kur vjen puna për protesta të opozitës, apo të qytetarëve si në rastin e Astirit, nuk lë rast pa bërë politikë, më në fund foli, por duke i habitur të gjithë me ato që tha.
I pyetur gjatë një interviste në `Vizion Plus` për gjendjen e kriminalitetit në vend dhe gjallërimin e grupeve kriminale, ai deklaroi se Policia e Shtetit po punon fort dhe se ka goditur bandat, por nuk i thotë dot me emra sepse ju bën reklamë!
“Por në vitin e kaluar disa banda janë goditur, nuk dua t’i them me emra se u bëj reklamë, dhe janë avancuar çështje të tjera. Në Elbasan nuk jemi mbështetur nga Gjykata, në dy raste nuk kanë gjetur mirëkuptimin e saj”, deklaroi me seriozitet të plotë ministri Lleshaj.
Kjo është një deklaratë sa absurde aq edhe qesharake, sepse nëse janë goditur vërtet bandat që ka në mendje Lleshaj, ato duhej të ishin prapa hekurave dhe publikimi i këtyre `sukseseve` do të ishte në fakt një reklamë për punën e policisë dhe jo e kundërta.