Operacionet për arrestimin e Klement Balilit, të cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, duket se nuk po realizohen në fshehtësinë që e kërkon detyra. Ashtu si edhe në tre tentativat e mëparshme për kapjen e tij, kanë qenë informatorët ata që e kanë njoftuar Balilin; po njësoj ka ndodhur edhe në aksionin e nisur më 10 tetor.
Teksa vijon aksioni i policisë për kapjen e “Eskobarit të Ballkanit”, është dërguar për verifikim nga SHKB një oficer i Policisë së Sarandës, i cili dyshohet se ka ndihmuar Balilin. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Balili informohej nga dy oficerë lidhur me operacionet që zhvilloheshin për kapjen e tij.
Përveç oficerit për të cilin kanë nisur tashmë hetimet, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se verifikime po bëhen për të gjithë grupin e përfshirë në operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve për arrestimin e Klement Balilit.
Operacioni i katërt për arrestimin e tij, është shtrirë në Sarandë, Gjirokastër, Ksamil e Durrës, por deri më tani nuk ka patur rezultat. Po kështu edhe tre tentativat e mëparshme për arrestimin e tij kanë dështuar.
I pari operacion është zhvilluar në verë, gjatë kohës kur ka qenë piku i turistëve në Sarandë. U tentua të arrestohej, por operacioni dështoi, pasi ai u informua.
Operacioni i dytë është bërë diku rreth datës 20 tetor. U dërgua skuadra speciale nga Tirana për të mos patur dekonspirim të operacionit, por në momentin kur u ngrit prita, ai la makinën dhe u largua. Në mjetin e blinduar ai la celularin për të shmangur arrestimin.
Tentativa e tretë u bë tre ditë më vonë. Pati informacion se ai do të ishte në një stadium ku luante Delvina. Duke përfituar nga fakti se në stadium ka shumë njerëz, aty u dërgua sërish nga Tirana skuadra speciale, e kamufluar si tifozë, civilë. Por ai nuk shkoi në stadium. Pas ndeshjes është kontrolluar makina e kryetarit të bashkisë, por ai nuk u gjet.
Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh, ndërsa në dosjen voluminoze të dërguar nga qeveria greke kërkohet edhe hetimi pasuror për 44-vjeçarin.