Është koha që mediat t’ua kthejmë njerëzve

Bledi KASMI

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi dje gazetën “RD” me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Kjo është dekorata e parë që institucioni më i lartë i shtetit jep ndaj një medieje. Është më kuptimplota dhe më sinjifikativja që jepet në këto 26 vite për një media për të paktën dy arsye.
Arsyeja e parë është se prej tre vitesh kemi një qeveri që po dekreton kriminelët e diktaturës duke pasur si qëllim të vetëm rehabilitimin e gjenocidit gjysmë shekullor komunist në këtë vend. Ndaj është lajm i mirë që sot kemi një President si Bujar Nishani që i rikthehet vlerave të historisë, lirisë dhe të demokracisë duke ngritur në piedestal një datë si 5 janari ‘91, të cilën shqiptarët prej vitesh e kujtojnë si një monument të lirisë së fjalës.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me emrin e medias që Presidenti zgjodhi për t’i dhënë titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Pse duhej të ishte “RD”? Është ndoshta një rast unik historia e kësaj gazete. Ajo vrau frikën e ngritur në sistem, inspiroi shqiptarët për të luftuar për të drejtën e fjalës dhe hapi epokën e lirisë së komunikimit dhe themeloi institucionin e opozitarizmit të mendimeve dhe të ideve.
Rrallë media në historinë botërore të mediave mund të kenë pasur një histori si ajo e “RD”. Edhe librat e Shenjtë nuk janë pritur me aq entuziazëm. Profetëve u është dashur shumë kohë që të bindin pasuesit për fjalët e Zotit që ata përçonin. Me “RD” në vitin ‘91 ndodhi krejt ndryshe. Radhët për ta blerë atë krijonin më pas edhe radhë të tjera për ta lexuar.
Asnjë media nuk mund të ketë bërë atë histori që ka bërë “RD” dhe vendimi i Presidentit meriton respekt, mirënjohje dhe falënderim.
Kjo është një dekoratë mirënjohjeje që i takon të gjithë atyre që e inicuan, e themeluan, e ruajtën dhe e kultivuan frymën e lirisë së fjalës përgjatë këtij çerekshekulli. Kjo dekoratë na përket të gjithëve, po aq sa mua i përket Frrokut, Preçit, Mitros, Filipit, Bashkimit, Mentorit, Napolonit, Lorencit, Lazerit, Astritit dhe të gjithë gazetarëve që besojnë se misioni i tyre nuk është të jenë puthadorë të një pushteti kriminal, por zëdhënës të së vërtetës.
Jam ndjerë shumë i inkurajuaar dje në mëngjes kur kolegë gazetarë, por edhe qytetarë kishin vendosur në profilet e tyre në rrjetet sociale numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike” të shoqëruar me urimin “Gëzuar!”. Secili kujtonte copëza nga emocionet e orëve të para kur “RD” doli në treg. Nuk është thjesht dhe vetëm nostalgji. Kjo gazetë është kthyer në një pasuri kombëtare.
Ka vetëm një ndryshim mes opozitarizmit të sotëm të “Rilindjes Demokratike” dhe opozitarizmit të 26 viteve më parë. 26 vite më parë opozitarizmi i gazetarëve të “RD” drejtohej ndaj një shteti diktatorial që kryente krime në emër të regjimit, ndërsa sot opozitarizmi i “RD” bëhet ndaj krimit që ka nënshtruar shtetin dhe qeverinë.
As atëherë nuk ka qenë e lehtë dhe as sot nuk është e lehtë sepse opozitarizmi ndaj një regjimi nuk është asnjëherë luks. Në një emision të pak muajve më parë në “Opinion” të kolegut Fevziu askush nga gazetarët dhe analistët nuk kishte pranuar të merrte pjesë në një debat për arrestimin dhe gjobat e Shullazit. Ky është rasti më flagrant për të ilustruar forcën e krimit sot përballë impotencës së medias.
A ndodhte kjo në “RD” 26 vite më parë kur denoncoheshin krimet e diktaturës? Nuk ndodhte as atëherë, as kur botonim dosjet e zeza të rebelimit të vitit ’97. Si është e mundur kjo sot? Unë e kam një shpjegim, por do të huazoj një shprehje të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump si përgjigjen më të mirë të mundshme.
“Le të jemi të qartë për diçka, media korporative nuk është më e përfshirë në gazetari, por janë një grup me interes të veçantë ku nuk ndryshojnë aspak nga një lobist, me një kapital ekonomik dhe me një axhendë politike dhe kjo axhendë nuk është për ju, por është për ata vetë dhe kushdo që u del kundra është një abuzues seksual dhe një racist. Ata do të gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë dhe përsëri do të bëjnë atë çfarë është e nevojshme për të arritur qëllimin e tyre”.
Është koha që mediat duhet t’ua kthejmë njerëzve.

Artikulli paraprakRilindja Demokratike!
Artikulli tjetërMedia e të vërtetave dhe vlerave të lirisë