Del Boske zyrtarizon largimin

Vicente del Bosque i jep lamtumirën përfaqësueses spanjolle të futbollit. Sfida e humbur me rezultatin 2-0 ndaj Italisë në raundin e 1/8-ave të Euro 2016 ishte e fundit për trajnerin 65-vjeçar në stolin e La Rojas. Del Bosque ka refuzuar një tjetër ofertë që i ka bërë presidenti i Federatës spanjolle të Futbollit, Angel Maria Villar për të vazhduar punën në krye të kombëtares dhe tashmë largimi i tij nga stoli i Spanjës është zyrtarizuar. Ish-trajnerit të Realit të Madridit i përfundon kontrata me La Rojan më 31 korrik dhe pas kësaj date ai nuk do të jetë më tekniku i 1 herë kampionëve të botës.
Del Bosque gjithashtu nuk ka pranuar të marrë asnjë lloj posti tjetër në Federatën spanjolle të Futbollit dhe në fund të këtij muaji ai do të largohet përfundimisht nga bota e futbollit, pasi do t’i japë fund karrierës së tij si trajner. Edhe pse Villar këmbënguli deri në momentin e fundit, 65-vjeçari ishte i bindur në zgjedhjen e tij për t’u larguar. Përfundon pas 8 vitesh aventura e Vicente del Bosques në krye të Spanjës. Gjatë kësaj periudhe me La Rojan ai fitoi 2 nga 4 turnetë madhorë ku mori pjesë, pikërisht Kupën e Botës Afrikë e Jugut 2010-të dhe Europianin e zhvilluar në Poloni dhe Ukrainë më 2012-tën. Në këto 8 vite Del Bosque grumbulloi në total 70 futbollistë të ndryshëm në përfaqësuese. Janë të shumtë emrat që përfliten si zëvendësues të 65-vjeçarit me Julen Lopeteguin e Joaquin Caparros që qëndrojnë në krye të listës.
Trajneri ka zbuluar në një intervistë për “Cadena Ser” se i ka dërguar një mesazh falënderimi të gjithë futbollistëve që kishte me vete në Francë, pavarësisht rolit që ata luajtën në Europian, me përjashtim të njërit: portierit Iker Kasijas. Del Boske vendosi të ulte në stol kapitenin legjendar të Spanjës, duke i dhënë hapësira David de Geas, një vendim të cilin Kasijas mesa duket nuk e ka pritur edhe aq mirë. “Me shokët e skuadrës, ai ishte komplet në rregull, por sjellja e tij nuk ishte aq e mirë me stafin drejtues. Kjo është arsyeja pse ai ishte personi i vetëm, të cilit nuk i nisa një mesazh falënderimi”, shpjegoi Del Boske.
“Jam i sigurt se ai është i lënduar apo i pakënaqur nga unë dhe e kuptoj. Ai mendon se ne kemi marrë vendimin e gabuar. Por të gjithë duhet të jemi krenarë me një lojtar, i cili ka luajtur 167 ndeshje me ekipin kombëtar. Nuk mendoj se 3-4 ndeshje do të dëmtojnë përmbledhjen e karrierës së tij”, tha Del Boske duke lënë të kuptohet se edhe për Kasijas kishte ardhur koha e lamtumirës nga kombëtarja. “Unë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga Kasijas, kam një vlerësim shumë të madh për të. E njoh që kur ishte nëntë vjeç”, përfundoi Del Boske.

Exit mobile version